Arkivi

Hajdari: eksporti i mallrave për muajt janar-tetor, 26% rritje krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar

Prishtinë, 16/12/2022

Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, znj. Rozeta Hajdari, mbajti një fjalë rasti në ngjarjen e organizuar nga Fondi Kosovar për Garanci Kreditore dhe USAID-i, me ç’rast u bë lansimi i dritares së re për lehtësim financiar “DRITARJA E EKSPORTIT”.

Gjatë fjalës së saj, ministrja Hajdari, përgëzoi Fondin Kosovar për Garanci Kreditore, dhe theksoi edhe një herë rëndësinë e faktorëve që lehtësojnë zhvillimin e eksportit, duke shtuar se eksporti hap mundësi të reja për bizneset tona të suksesshme të cilat po dëshmohen çdo ditë e më shumë. Ministrja, shprehu përkushtimin e madh në krijimin e mundësive të reja për bizneset vendore, për ofrimin e produkteve dhe shërbimeve konkurruese në tregun ndërkombëtarë.

Qeveria e Republikës së Kosovës ka mbështetur Fondin Kosovar për Garanci Kreditore ( FKGK) me shumën prej 40 milionë eurove, përmes kredisë nga Banka Evropiane e Investimeve (BEI), për të lehtësuar qasjen në financim për ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme (NVM), që janë ndikuar nga kriza e COVID-19.

Me qëllim të rritjes së kapaciteteve prodhuese dhe përpunuese dhe përmirësimit të bilancit tregtar përmes zëvendësimit të importeve dhe rritjes së eksporteve, MINT ka mbështetur në shumën prej 9.8 mil eurove, përmes huamarrjes nga Banka Botërore, 139 biznese që eksportojnë ose kanë potencial të eksportojnë, ndërsa përmes skemës së granteve nga KIESA, iu ka ofruar prodhuesve dhe përpunuesve vendor mbështetje financiare për blerje të makinerive prodhuese. Në vitin 2021 kanë përfituar 32 prodhues vendor ndërsa për vitin 2022 janë në proces të përkrahjes rreth 35 prodhues / përpunues vendor. Ndërkaq, përmes masës 2.1, subvencionimi i kredive investive të pakos së ringjalljes ekonomike, sipas vlerësimeve të pranuara nga MFPT deri më tani KIESA ka realizuar 5,555,226.93 euro për bizneset përfituese.

Ministrja Hajdari, njoftoi se Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, ka zbatuar një sërë reformash, të cilat kanë rezultuar me statistika pozitive të rritjes së konkurrueshmerisë dhe rritjes së eksportit, duke sjellë në pah politikën industriale që do të perkrahë më shumë rritjen e investimeve dhe eksporteve, dhe ligjet përkatëse për përmirësimin e ambientit të të bërit biznes në vendin tonë.

Në konkludim, Ministrja Hajdari, njoftoi se eksporti i mallrave për muajt janar-tetor ka arritur në 774.4 milionë euro apo 26% rritje krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Ndërkohë, investimet e huaja gjatë periudhës janar-shtator 2022 kanë arritur për herë të parë në 566.9 milionë euro, ose 43.6% rritje krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2021.