Vizita e ministres Hajdari në biznesin 'Duck to Convenience Kosova'
Prishtinë,
23/01/2023
Me synimin për të mbështetur realizimin e investimeve të reja në vend si dhe hapjen e planifikuar të 400 vendeve të punës, ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, znj. Rozeta Hajdari, me zv/ministrat Mentor Arifaj e Imri Demelezi si dhe drejtorin e Drejtoratit për Menaxhimin e Pyjeve, Menderes Ibra, realizuan vizitën në biznesin 'Duck to Convenience Kosova'.
Në atmosferë të mirë dhe diskutim përmbajtësor pronari Isa Tahiri dhe bashkëpunëtorët e tij prezantuan planet e mëtutjeshme për zhvillimin e këtij biznesi që pritet të jetë shumë i dobishëm për qytetarët dhe vendin.
'Duck to convenience Kosova' aktualisht numëron 54 punëtorë, nga të cilët 80 % janë gra, por e ardhmja e afërt pritet të sjellë edhe 400 vende të reja të punës.
Lajmi i mirë është se puna 5 vjeçare me shumë përkushtim nga ndërmarrësi i vyeshëm zotëri Tahiri, si i vetmi exportues i certifikuar i mishit të rosës, ka bindur partnerin holandez ' BR Tomassen Duck' që të zgjerojë veprimtarinë me ciklin e plotë të integruar të prodhimit të rosës, nga ushqyerja, rritja e zogjve në ekonomitë familjare, prodhimi dhe qarkullimi për eksport i produkteve të roses.
'BR Tomassen Duck" është kompani serioze si prodhues i rosave dhe produkteve të rosave të sapo ngrira e po ashtu aksionari kryesor i biznesit vendor ' Duck to Convenience Kosova', i specializuar në pjekje të rosave dhe export të produkteve të ndryshme të mishit të rosës në Gjermani, Holandë dhe Britani.
Transferi i njohurisë dhe teknologjisë, me cilësi të lartë të produkteve të partnerëve aksionar 'Duck to Convenience Kosova' dhe 'BR Tomassen Duck' do të jetë transformues kryesor i industrisë së ushqimit në Republikën tonë.