Arkivi

Mbahet Forumi i parë Ekonomik Kosovë - Kroaci, nënshkruhet Marrëveshje në Fushën e Turizmit

Prishtinë, 27/01/2023

Forumi Ekonomik ndërmjet Kosovës dhe Kroacisë, i mbajtur dje në Prishtinë është tregues i lartë i angazhimit të të dyja vendeve për forcimin e marrëdhënjeve të mira mes dy vendeve në të gjitha sferat.

Të pranishmëve në këtë forum, iu drejtua kryeministri i Republikës së Kosovës, z.Albin Kurti, nën patronatin e të cilit u organizua ky forum. Kryeministri foli për lidhjen historike, politike e gjeografike ndërmjet popullit kosovar e kroat. Ai tha se tani ka ardhur koha të forcohën edhe marrëdhënjet ekonomike.

Ndërkaq ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, znj.Rozeta Hajdari, theksoi avantazhet e bashkëpunimit ekonomik dhe rëndësinë e sektorit privat. Ajo shprehu kënaqësinë që të pranishëm ishin edhe 50 biznese kroate dhe 80 biznese kosovare të cilat patën mundësinë të takohen dhe të shkëmbejnë përvojat dhe interesat për fushat përkatëse të biznesit.

Hajdari, theksoi se Qeveria e Republikës së Kosovës ka ndërmarrë hapa për miratimin e politikave dhe ligjeve që promovojnë një mjedis pozitiv të të bërit biznes.

Ajo tha se politikat për mbështetjen e investimeve me përparësitë konkurruese të nearshoring kanë rritur besimin për të investuar në Republikën e Kosovës.

Ministrja Hajdari, falenderoi përfaqësuesit e lartë kroat të cilët ishin prezent duke shprehur mirënjohje për gadishmërinë dhe interesimin e tyre në thellimin e raporteve ekonomike ndërmjet Kosovës dhe Kroacisë, në veçanti duke falenderuar ministrin kroat për Ekonomi dhe Zhvillim të Qendrueshëm, z.Davor Filipović, për sjelljen e 50 bizneseve kroate në këtë forum.

Gjatë Forumit poashtu u nënshkrua edhe një Marrëveshje Bashkëpunimi mes dy shteteve në fushën e turizmit, nga ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, znj.Rozeta Hajdari dhe zv.ministri i Turizmit të Kroacisë z.Tonči Glavina.

Ministrja Hajdari foli për rëndësinë e kësaj marrëveshjeje duke theksuar rritjen e shpejtë të turizmit në ekonominë globale.

Në kuadër të Forumit u mbajtën edhe takimet B2B ndërmjet përfaqësuesve të komuniteteve të biznesit nga të dyja vendet.