Arkivi

Rreth 15 mijë pajisje dekorative të pasigurta ndalohen nga tregu

Prishtinë, 30/11/2024

Në dy javët e fundit, Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut, në kuadër të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, ka kryer verifikime të ndriçimeve dekorative që përdoren për festat e fundvitit.

Gjatë procesit të zhdoganimit në pikat doganore, si dhe në tregun e brendshëm, janë ndaluar nga futja në treg ose janë larguar nga qarkullimi rreth 15,000 copë pajisje dekorative. Këto produkte janë konstatuar si të papërputhshme me kërkesat ligjore dhe standardet përkatëse të sigurisë.

Dritat dekorative elektrike që nuk përmbushin standardet përkatëse mund të paraqesin rrezik serioz për goditje elektrike ose zjarr, duke vënë në rrezik jetën dhe pronën e qytetarëve.

Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut mbetet i përkushtuar për të garantuar sigurinë e konsumatorëve dhe mbrojtjen e tyre nga produktet e rrezikshme.