Lajme

Kosova shënon Ditën Botërore të Inovacionit dhe Kreativiteti

Prishtinë, 27/04/2022

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT) ka shënuar “Ditën Botërore të Inovacionit dhe Kreativitetit”, me ç’rast të pranishmit të cilët janë edhe prijës të institucioneve inovative, kanë vlerësuar se ky kreativitet me ndikim në ndërmarrësi është faktor kryesor i zhvillimit ekonomik të vendit, si dhe i gjenerimit të vendeve të reja të punës.

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, në ceremoninë e shënimit të Ditës Botërore të Inovacionit dhe Kreativitetit, ka thënë se sfidat e zhvillimit global dhe rajonal për zhvillim ekonomik janë duke u rritur. Sipas tij, ekonomia tradicionale është duke pësuar ndryshime të vazhdueshme dhe se Inovacioni është katalizator i ndryshimit transformues.

“Sfidat e zhvillimit global dhe rajonal për zhvillim ekonomik janë duke u rritur dhe ekonomia tradicionale është duke pësuar ndryshime radikale me përdorimin e teknologjisë informative dhe të komunikimit, nëpërmjet të gjitha komponenteve të saj. Banorët e globit çdo herë më shumë janë duke kërkuar zgjidhje për automatizim të prodhimeve dhe lehtësira për të marrë një shërbim”, tha Kryeministri Kurti.

Për më shumë, ai shtoi se, Kosova ka nevojë të transformojë mënyrën se si krijon, prodhon dhe shet produktet dhe shërbimet e saj dhe se na nevojitet kreativiteti për të ndërtuar produkte e shërbime të reja, e për të gjetur mënyra për t’i pozicionuar e për t’i shitur ato.

Kryeministri Kurti, theksoi tutje se për zhvillimin e inovacionit Kosova e ka potencial të madh rininë gjersa shprehi kënaqësinë se gjeneratat e reja tek ne, me një ritëm të shpejtuar janë duke e përqafuar realitetin e transformimit duke u orientuar drejt mësimnxënies rreth përdorimit të teknologjive të reja në dobi të mirëqenies së tyre.

Në anën tjetër, Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, theksoi se inovacioni dhe ekonomia digjitale janë duke hyrë në veprimtarinë e përditshme të ndërmarrjeve në Kosovë, duke u bërë një sektor i rëndësishëm i zhvillimit ekonomik.

“Barra më e madhe për avancimin e inovacionit ne ndërmarrësi na takon neve si Qeveri përmes Ministrisë se Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, por secili nga ne, nga sektori publik dhe privat, kemi përgjegjësi për të adresuar dhe shpejtuar përpjekjet tona të përbashkëta për zhvillim më të hovshëm të inovacionit, aty ku ne veprojmë. Është thelbësore që një bashkëpunim i tillë të intensifikohet, jo vetëm në ditë festash por, çdo ditë të mendojmë se si me angazhimin tonë mund t’i ndryshojmë gjërat për të mirë dhe faturën e suksesit ta ndajmë bashkërisht“, tha Ministrja Hajdari.

Sipas saj, fuqizimi i inovacionit dhe ndërmarrësisë ka ndikim shumë dimensional.

“Kur themi ndërmarrësi, automatikisht na shkon mendja tek ndërmarrësit që ushtrojnë veprimtari në: industri prodhuese e përpunuese, industri kreative art, shëndetësi, sport, teknologji e shumë e shumë sektorë të tjerë, të cilët për të zhvilluar veprimtaritë e tyre ndërmarrëse duhet t’i ndjekin procedurat, rregullat e udhëzimet e kësaj ministrie, e ky fakt na bënë të ndihemi edhe më përgjegjës“, theksoi ministrja Hajdari.

Sipas saj, fokusi do të jetë te zhvillimi i ndërmarrjeve Start-up, për projektet që kanë të bëjnë me dixhitalizimin e shërbimeve, e kjo përkrahje do të forcohet përmes finalizimit të hartimit të politikes dhe ligjit për inovacion dhe ndërmarrësi dhe krijimit të fondit për inovacion, brenda MINT.

“Kur jemi tek përkrahja e ndërmarrësisë inovative fokusi do të jetë në përkrahjen e bizneseve fillestare Start-Up, ku përparësi do të kenë projektet në dixhitalizim të shërbimeve, krijimet e prototipeve të produkteve të reja apo të përmirësuara dukshëm dhe sektorët që do të përkrahen nga grant skemat vitet në vijim do të jenë: TIK, mbrojtja e mjedisit, industria kreative dhe përpunuese”, ka thënë Ministrja e MINT-it, Rozeta Hajdari.

“Bllokadat e fundit të cilat fatkeqësisht janë duke na përcjellur edhe tani kur ne po flasim, periudha Post Covid 19, lufta në Ukrainë, sikurse shumicën e shteteve, na kanë goditur edhe neve me ngritje të pa përballueshme të çmimeve. E kjo situatë, patjetër se na obligon të jemi më kreativ dhe inovativ, për të zhvilluar një infrastrukturë të çartë ligjore, politika publike të mirëfillta, që nxisin zhvillimin e inovacionit dhe ndërmarrësisë në Republikën tonë”-përfundoi Minstrja Hajdari.

Po ashtu, me rastin e kësaj dite janë organizuar edhe sesione diskutuese me biznese dhe përfaqësues të shoqatave përfaqësuese të komunitetit të inovacionit dhe ndërmarrësisë, përfaqësueses të UP-së dhe kolegjeve private, me temën “Ekonomia inovative dhe kreative - transformimi i ekonomisë tradicionale në ekonomi digjitale”.

Ndryshe, “Dita Botërore e Inovacionit dhe Kreativitetit” ka filluar të shënohet më 21 prill në shumë vende të botës, që nga viti 2001 ndërsa, është zyrtarizuar në vitin 2017, me qëllim të nderimit të aktiviteteve krijuese e inovative.