Lajme

Ministrja Hajdari mori pjesë në ceremoninë e hapjes së Odës Ekonomike Nordike në Prishtinë

Prishtinë, 29/05/2023

Sot, Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, znj. Rozeta Hajdari së bashku me kryeministrin e vendit z. Albin Kurti, morën pjesë në ceremoninë e hapjes së Odës Ekonomike Nordike në Prishtinë.

Ministrja Hajdari i përgëzoi anëtarët themelues të Odës Ekonomike Nordike, duke theksuar se shkëmbimi tregtar midis Kosovës dhe vendeve nordike ka potencial të madh për rritje. Ajo tha se funksionalizimi i Odës Ekonomike Nordike në Kosovë dhe avokimi i saj në vendet veriore të kontinentit evropian, do të ndikojë në rritjen e besimit në Republikën e Kosovës si shtet me mundësi realisht shumë konkurruese, dhe në rritjen e investimeve nga vendet nordike e poashtu për të marrë nga to njohuri dhe teknologji të avancuar për një transformim sa më të shpejtë ekonomik të vendit tonë.

Ministrja Hajdari, i njoftoi të pranishmit për politikat, ligjet dhe potencialin e madh të sektorit privat me ndërmarrës të vyeshëm duke shprehur vizionin deri në 2030 për transformimin e industrisë së vendit në një industri më të integruar globalisht që është në gjendje të prodhojë produkte me vlerë të lartë të shtuar dhe të ofrojë punësim të denjë.

Poashtu, Ministrja njoftoi edhe për nënshkrimin e marrëveshjes për pjesëmarrjen e Kosovës në Programin e BE-së ‘’Tregu i Përbashkët’’ për vitet 2021-2027 që inkurajon bashkëpunimin e bizneseve vendore dhe ndërkombëtare për rritje të konkurrueshmerisë dhe zhvillim të zinxhirëve të vlerës industriale për integrim në tregun ndërkombëtar.

Në hapje të Odës Ekonomike Nordike, të pranishëm ishin Ambasadori i Finlandës në Kosovë, Matti Nissinen, Ambasadori i Suedisë në Kosovë, Jonas Westerlund, Ambasadorit i Norvegjisë në Kosovë, Jens Grøndahl, Drejtoresha e Bordit të Odës Ekonomike Nordike, Afërdita Pllana- Ibrahimi, dhe përfaqësues të bizneseve vendore dhe nordike, në mesin e tyre edhe të rinjë të suksesshëm nga diaspora jonë.