Lajme

Në “Ditën Botërore të Fëmijëve”, nxënësit vizitojnë Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë

Prishtinë, 02/06/2023

Fytyrat gazmore e plot shpresë të fëmijëve të tri shkollave fillore në kryeqytet, “Hasan Prishtina”, “Pavarësia” dhe “ Iliria”, u pritën sot ngrohtësisht nga ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, znj. Rozeta Hajdari dhe stafi i MINT.

Holli i ministrisë, asnjëherë nuk është dukur më bukur, sepse siç tha ministrja Hajdari, fëmijët janë forca e jetës, arsyeja e shpresës dhe thesari i sigurt i ardhmërisë së vendit, sepse ata janë drejtuesit e ardhshëm të industrisë, ndërmarrësisë dhe tregtisë, përmes të cilëve ekonomia e vendit tonë do të lulëzojë.

Duke biseduar me fëmijët për profilet e industrisë dhe për sa shumë inxhinerë të rinjë që i duhen industrisë së vendit tonë, ministrja Hajdari, i motivoi fëmijët në diskutim të afërt, për fushat STEM në arsim dhe se si rriten të ardhurat dhe ekonomia jonë.

Ministrja Hajdari tha se sot tek festojmë Ditën e Fëmijëve, ne duhet të angazhohemi për të mirën e tyre në çdo minutë, e në çdo vendim e veprim që bëjmë, për të iu krijuar një të ardhme të sigurt në vendin tonë. Fëmijët nuk na e kanë asnjë borxh neve, por ne u kemi borxh që vendin tonë ta bëjmë ambient sa më të mirë për secilin prej tyre.