Konferenca për media e ministres së MINT, Rozeta Hajdari
Prishtinë,
18/08/2023
Mire se vini sot në Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë,
Sot, jam me zv. sekretarin tonë zotëriu Daut Latifaj, i cili sot më ka njoftuar që, në Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë kanë ardhur njësia hetuese e Prokurorisë Speciale, me urdhër të prokurorit Valdet Gashi për kontroll në zyrat e dy zyrtarëve të lartë të MINT, respektivisht të Drejtorit të Departamentit për Rezervat Shtetërore, zotëriut Hafiz Gara dhe Drejtorit të Departamentit të Integrimeve Evropiane, zotëriut Irfan Lipovica. Për më tej Prokuroria Speciale ka bërë sot njoftimet për rastin që po hetohet nga ta.
Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë mirëpret çdo hetim për rastin e blerjes së rezervës shtetërore, ani pse ne jemi të bindur që furnizimet dhe rezerva shtetërore janë në përputhje me ligjet përkatëse në fuqi, dhe planin përkatës të furnizimit me rezervë shtetërore.
Si Ministre e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, pres që organet e hetimit të kenë në vëmendje që krahas punës hetimore, të mos cenojnë në asnjë rrethanë sigurinë shtetërore, për sa kohë që bëhet fjalë për rezervën shtetërore të Republikës sonë, e klasifikuar sipas Ligjit për Rezervën Shtetërore dhe Ligjit për Mbrojtjen e Informacionit të Klasifikuar.
Sepse, gjatë hetimeve, dokumentet të cilat janë marrë si prova nga ana e policisë, në Ministri janë klasifikuar si sekret shtetëror, ndërsa nga policia e njësisë hetuese nuk kanë prezantuar certifikatë të sigurisë sekrete, pra kërkesa e policisë për pranim-dorëzimin e këtyre provave-dokumenteve ka qenë në kundërshtim me Ligjin për Mbrojtjen e Informacionit të Klasifikuar.
Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, i siguron të gjithë qytetarët, se procesi i furnizimit me mallra për Rezervën Shtetërore, me standarde dhe parametra të përcaktuara të cilësisë, është trajtuar dhe monitoruar sipas legjislacionit në fuqi. Dhe nuk dyshojmë për asnjë keqpërdorim nga zyrtaret tanë, që janë të ndalur sot për 48 orë në Polici.
Të nderuar Gazetarë dhe të dashur Qytetarë,
Për këtë çështje, prej një kohë të gjatë, që një vit e më shumë, e veçanërisht në muajt e fundit, ka përpjekje të mëdha që të keq informohet publiku në vendin tonë. Motivet dhe arsyet për këto veprime të nxitura dhe koordinuara nga palë të ndryshme të interesit, duhet të jenë po ashtu pjesë e hetimit në këtë rast.
Më lejoni të iu njoftoj se, rezervat shtetërore të mallrave krijohen për të ndërhyrë në mënyrë operative për mbrojtjen e popullsisë, ekonomisë në rast të çrregullimit të tregut, mbrojtjes së vendit dhe situatave tjera të përcaktuara në nenin 2 të Ligjit nr. 03/l-244 për rezervat shtetërore të mallrave.
Prandaj, përgjatë dy vjetëve të Qeverisë së udhëhequr nga Lëvizja Vetëvendosje, rezervat shtetërore kanë shënuar rritjen më të lartë si ndonjëherë, duke u 30-fishuar deri me tani. E kjo, për ndryshim nga qeverisjet e kaluara, kur rezervën shtetërore e gjetëm në greminë, të vjedhur dhe duke e cenuar sigurinë kombëtare të popullatës sonë.
Të nderuar Gazetarë dhe të dashur Qytetarë,
MINT i siguron të gjithë qytetarët, se të gjitha procedurat e negocimit dhe blerjeve të vitit 2022 në lidhje me furnizimin me mallra për Rezervë Shtetërore, janë zhvilluar dhe vazhdojnë të trajtohen bazuar në legjislacionin në fuqi, respektivisht sipas Ligjit për Rezervën Shtetërore të Republikës së Kosovës, Ligjit mbi Ndarjet Buxhetore për Buxhetin e Republikës sё Kosovës pёr vitin 2022, Ligjit për Mbrojtjen e Informacionit të Klasifikuar dhe Vendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës nr.01/65 të datës 26.02.2022. Pra, i gjithë procesi i furnizimit me mallra për Rezervën Shtetërore, me standarde dhe parametra të përcaktuara të cilësisë dhe sipas planit të furnizimit për vitin 2022, është trajtuar dhe monitoruar sipas legjislacionit përkatës në fuqi.
E sa i përket blerjeve të furnizimit të rezervës shtetërore, gjatë vitit 2021, më lejoni të iu njoftoj si në vijim:
Në vitin 2021, MINT ka shpallur tri herë procedurat e prokurimit për të blerë një sasi të Rezervës Shtetërore, nga të cilat një procedurë e prokurimit ka përfunduar me sukses, ndërsa dy procedura të prokurimit kanë dështuar, për shkak të mos ofertimit nga operatorët ekonomik vendor.
Në tremujorin e parë të vitit 2022, furnizimi me mallra të Rezervës Shtetërore, bazike për jetën e qytetarëve, është trajtuar si çështje e sigurisë kombëtare. Pse? sepse ishte rreziku i lartë edhe në mbyllje të kufijve, në kohën kur filloi lufta në Ukrainë dhe kur gjendja e furnizimit të Rezervës Shtetërore në vendin tonë gjendej në sasi të pamjaftueshme, por shumë të nevojshme për jetesën dhe mbrojtjen e popullsisë, në rast të ndonjë krize për furnizim dhe mbijetesë.
Gjate fillimit të vitit 2022, me konkretisht në shkurt 2022, lufta në Ukrainë solli ndërprerje të zinxhirëve të furnizimit dhe mungesë të mallrave bazike për jetesë, për shkak të ndalesës së eksporteve nga shumë vende, rritjes së inflacionit global dhe rritjes së çmimeve. Në atë kohë, në muajin shkurt 2022, Qeveria e Republikës së Kosovës, me kërkesë të MINT, rriti buxhetin për Rezervën Shtetërore dhe mori vendim për përjashtimin nga procedurat e prokurimit për furnizim me produkte të Rezervës Shtetërore të Mallrave, sipas legjislacionit të lartpërmendur në fuqi, përkatësisht Ligjit për Rezervën Shtetërore të Republikës së Kosovës, Ligjit mbi Ndarjet Buxhetore për Buxhetin e Republikёs sё Kosovёs pёr vitin 2022, Ligjit për Prokurimin Publik në Republikën e Kosovës dhe Ligjit për Mbrojtjen e Informacionit të Klasifikuar.
Përkundër ndikimit të luftës në Ukrainë me ndalesa të eksporteve dhe ndërprerje të zinxhirëve të furnizimit të mallrave bazike për jetesë, MINT përmes Departamentit të Rezervave Shtetërore dhe Mallrave-DRSHM, ka rritur sasinë e rezervave për 30 fish më shumë, duke rritur kështu sigurinë kombëtare per qytetaret tanë.
Nga kontratat për furnizim për blerjen e rezervave shtetërore për vitin 2022, vetëm në rreth 3 % të totalit të furnizimit kemi vonesa, për të cilat vonesa me datën 8 qershor, 2023 është njoftuar edhe Avokatura Shtetërore nga zyra e zv. sekretarit të MINT, për inicim te procedurës gjyqësore.
Edhe në këtë vit 2023, Ministria është e përkushtuar të vazhdoj me rritjen e Rezervës Shtetërore, sipas Ligjit mbi Ndarjet Buxhetore për Buxhetin e Republikës sё Kosovës për vitin 2023, me 15 milion euro më shumë, me qëllim që të sigurojë qytetarët që në rrethana të jashtëzakonshme të kenë përkrahjen shtetërore në tejkalimin e situatave eventuale të krizës për mbijetesë.
Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë ka ndërmarrë të gjitha veprimet ligjore për denoncimin e shpifjeve dhe fyerjeve të deritanishme ndaj MINT, ndaj meje dhe ndaj zyrtarëve të kësaj ministrie, tek organet e drejtësisë dhe njëherit ofron bashkëpunimin e plotë me të gjitha institucionet kompetente për çështjen në fjalë.
Poashtu, ju njoftojmë se, që nga fillimi i mandatit tim, i kemi dorëzuar 26 lëndë në Prokurori Themelore, Policinë e Kosovës dhe Gjykatën e Kosovës, e deri më tani asnjëherë nuk jemi njoftuar nga ana e tyre për ndërmarrjen e ndonjë veprimi.
Ftojmë organet e lartë cekura qe të fillojnë ti trajtojnë këto lëndë të dërguar nga MINT. Veç se, kam pritur se do të fillojnë me ndonjë veprim, sepse janë dorëzuar që dy vite e më shumë.