MINT mbajti sesion informues me ndërmarrësit e Komunës së Graçanicës
Prishtinë,
18/09/2023
Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë në bashkëpunim me Ministrinë për Komunitete dhe Kthim, mbajti një sesion informues me ndërmarrësit dhe të rinjtë e komunës së Gaçanicës, lidhur me Programin e Bashkimit Evropian “Tregu i Përbashkët”.
Ministrja Rozeta Hajdari, shprehu falënderimin për Zyrën e Bashkimit Evropian për ndihmën financiare, ekspertizën teknike dhe mbështetjen politike, duke kontribuar në përparimin e vendit drejt zhvillimit ekonomik, demokratizimit dhe integrimit evropian.
Ministrja Hajdari theksoi rëndësinë e qeverisjes së mirë me gjithë përfshirje të të gjitha komuniteteve në të gjitha proceset e zhvillimit dhe integrimit, duke i njoftuar të pranishmit për programin e BE-së “Tregu i Përbashkët”, si njëri ndër programet më të rëndësishme që ofron mundësi të reja për ndërmarrjet dhe organizatat e ndryshme të vendeve pjesëmarrëse të këtij programi me një buxhet prej 4.2 miliardë euro për periudhën kohore 2021-2027.
Ky program ka për synim fuqizimin e mbikëqyrjes së tregut të brendshëm, përmirësimin e konkurrueshmërisë së industrisë, në veçanti të ndërmarrjeve mikro, të vogla dhe të mesme, mbrojtjen e konsumatorit përfshirë sigurinë e ushqimit, përmirësimin e statistikave dhe përmirësimin e sektorit financiar.
Ministrja Hajdari iu ofroj përkrahjen e plotë ndërmarrësve dhe të rinjve pjesëmarrës ne këtë sesion, në mënyrë që të arrijnë të aplikojnë në thirrjet e ardhshme të këtij programi dhe të realizojnë potencialin e tyre të plotë në ndërmarrësi, për më shumë punësim të denjë dhe prodhime me vlerë të shtuar të lartë për tregjet rajonale e ndërkombëtare, me synim zhvillimin socio ekonomik të vendit tonë.
Në këtë takim ishin të pranishëm Ministri për Komunitete dhe Kthim Nenad Rashiq, Zëvendës shefja e BE-së në Kosovë, Annacarin Plato me ekspertë të BE-së në Kosovë, me kontribut në diskutime të frytshme dhe informacione shtesë për pjesëmarrësit lidhur me mundësitë e aplikimeve dhe përfitimeve nga Programi i Tregut të Përbashkët.
Marrëveshja ndërkombëtare për pjesëmarrjen e Kosovës në Programin e Tregut të përbashkët Evropian (Single Market Program) u nënshkrua më 11 Maj të këtij viti, nga ministrja Rozeta Hajdari dhe drejtoresha e Përgjithshme për Tregun e Brendshëm të Bashkimit Evropian, Industrinë, Ndërmarrësinë dhe Ndërmarrjet e Vogla e të Mesme (DG GROË) znj. Kerstin Jorna, kurse këtë javë u dërgua nga Qeveria për ratifikim në Kuvendin e Republikës së Kosovës.
Ministrja Hajdari, edhe një herë ju bëri thirrje ndërmarrësve dhe të rinjve ndërmarrës të ardhshëm, që të aplikojnë në thirrjet e hapura në vazhdimësi të këtij programi.