Lajme

Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut Mbyll Përkohësisht 3 Pompa të Derivateve të Naftës në Veri të Kosovës

Prishtinë, 16/07/2024

Sot, Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut, në kuadër të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, në bashkëpunim me Agjencinë Kosovare të Privatizimit, Policinë e Kosovës dhe Inspektorët e Administratës Tatimore të Kosovës, ka realizuar një aksion të përbashkët në pjesën veriore të vendit.

Gjatë këtij aksioni, janë mbyllur përkohësisht 3 pika shitëse të derivateve të naftës për të verifikuar dokumentacionin përkatës. Inspektorët e Tregut kanë zbuluar se këto pompa ushtrojnë veprimtarinë tregtare pa leje të shitjes me pakicë për Dizel dhe Benzinë.

Të gjitha subjektet që merren me veprimtari të produkteve të naftës ose karburanteve të ripërtërishme, duhet të pajisen me leje të vlefshme për të zhvilluar veprimtarinë e tyre brenda territorit të Republikës së Kosovës.

Ndaj operatorëve ekonomik që ushtrojnë veprimtari tregtare në kundërshtim me ligjin, do të merren masa ndëshkuese sipas legjislacionit në fuqi.

Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut do të vazhdojë inspektimet edhe ditëve në vijim dhe nëse konstatohen shkelje, do të ndërmerren masa për ndalim të ushtrimit të veprimtarisë si dhe masa të tjera ndëshkuese konform legjislacionit aktual.