Lansohet Dritarja për Investime të Diasporës
Prishtinë,
16/07/2024
Lansimi i “Dritares për Investime të Diasporës” në kuadër të Fondit Kosovar për Garanci Kreditore, do të mundësojë garantimin e kredive për investitorët nga diaspora që duan të investojnë në Kosovë.
Ky program i ri për garantimin e kredive për të tërhequr investime nga diaspora, është rezultat i partneritetit në mes Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve dhe Fondit Kosovar për Garanci Kreditore në partneritet Agjencinë për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara përmes Aktivitetit të saj për Promovim të Investimeve dhe Qasjen në Financa.
Çfarë mund të përfitojnë bizneset e diasporës?
Investitorët nga diaspora do të mund të aplikojnë për kredi deri në vlerën 3,000,000 euro nëpër bankat e Kosovës, dhe pjesëmarrja e tyre me kapital duhet të jetë së paku 20% ose më e lartë.
Pas aplikimit nëse pala përmbush të gjitha kriteret, Fondi Kosovar për Garanci Kreditore do të ofrojë garanci për kreditë nga diaspora deri në vlerën 2,000,000 euro.
Poashtu, USAID do të ofrojë mbështetje përmes granteve stimuluese për një numër biznesesh, kreditë e të cilëve janë siguruar paraprakisht përmes Dritares për Investime të Diasporës.
Ftohen bizneset nga diaspora, të cilët mund të promovojnë tregtinë dhe investimet e huaja direkte, të krijojnë biznese të reja dhe të nxisin ndërmarrësinë dhe të transferojnë njohuri dhe aftësi të reja për të rinjtë tanë.
Kjo është një mundësi e madhe për të sjellë më të mirën nga diaspora në vendin tonë dhe për të forcuar zhvillimin ekonomik të Kosovës.