Lajme

Ministrja Hajdari hapi panairin tre ditor "Gratë në Biznes", që promovon fuqizimin e grave ndërmarrëse

Prishtinë, 18/07/2024

Ministrja theksoi rëndësinë e diversitetit dhe inovacionit që gratë sjellin në treg, si dhe përfitimet e mëdha për mirëqenien e familjeve dhe komuniteteve tona. Ajo përmendi iniciativat konkrete të ministrisë për mbështetjen e grave në biznes, përmes granteve, trajnimeve dhe certifikimeve.

Me këtë rast, Ministrja Hajdari njoftoi se Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT), përmes Agjencisë për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë (KIESA), ka hapur grant skemën për artizanate, e cila është në dispozicion për të gjitha ndërmarrjet mikro dhe të vogla.

Qëllimi i kësaj skeme është krijimi, zhvillimi dhe forcimi i mëtejshëm i artizanateve, përfshirë promovimin, mbrojtjen, ruajtjen dhe përcjelljen e artizanatit tradicional, theksoi Ministrja, duke shtuar se afati për aplikim është deri më 01 gusht 2024.

Panairi do të jetë i hapur deri më 20 korrik 2024 në sheshin George Bush, ku 40 biznese do të promovojnë produktet dhe shërbimet e tyre.

Ministrja bëri thirrje të vizitohet panairi dhe të mbështeten gratë ndërmarrëse të Kosovës!