Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, znj. Rozeta Hajdari mirëpriti Drejtoreshën e Misionit të USAID në Kosovë znj. Eileen Devitt
Prishtinë,
23/07/2024
Temë e takimit me znj Eileen Devitt e shoqëruar nga z. Alexander Albertine, Drejtor i Zyrës për Zhvillim Ekonomik dhe znj. Besa Ilazi, Zëvendës Drejtoreshë e Zyrës për Zhvillim Ekonomik të USAID, ishte koordinimi i programeve mbështetëse të USAID-it në zhvillimin e sektorit privat në Kosovë, me strategjitë dhe objektivat e Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë.
Me synim përafrimin dhe rritjen e efektshmërisë së mbështetjes amerikane në zhvillimin dhe rritjen e konkurrencës së sektorit privat në Kosovë, Ministrja Hajdari e shoqëruar nga znj. Valbona Dushi, Drejtore e Departamentit të Industrisë, z. Irfan Lipovica, Drejtor i Departamentit për Integrime Evropiane dhe z. Zef Dedaj, U.d. i Drejtorit të Përgjithshëm të KIESA-s, shpalosën strategjitë dhe planet 3 vjeçare 2024-2026 për zhvillim të industrisë dhe mbështetje të bizneseve, zhvillim të turizmit të qëndrueshëm dhe zhvillim të inovacionit dhe ndërmarrësisë.
Partneriteti i USAID është për të avancuar reformat e udhëhequra nga Kosova, që do të çojnë përpara përparimin e vendit drejt integrimit të plotë evropian dhe euroatlantik.
Prandaj, diskutimet u thelluan në ndërlidhjen dhe integrimin e strategjive për zhvillimin e sektorit privat dhe kontributin e tyre në realizmin e objektivave kryesore të Strategjisë Kombëtare Zhvillimore 2030.
Ministrja Hajdari shprehu mirënjohjen e saj ndaj përfaqësuesve të lartë të USAID, me qëllimin e tyre për rritjen e koordinimit të programeve mbështetëse amerikane me Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë dhe ofroi mbështetjen e saj për takime koordinuese me të shpeshta me të gjitha Agjencitë për Bashkëpunim dhe Zhvillim në Kosovë.