Lajme

Ministrja e Industrisë, Ndermarrësisë dhe Tregtisë, znj. Rozeta Hajdari mirëpriti në takim zyrtar Ministrin e Ekonomisë dhe Punës së Republikës së Maqedonisë së Veriut, zotëri Besar Durmishi

Prishtinë, 25/07/2024

Ministri Durmishi njoftoi ministren Hajdari për vizitën e tij zyrtare të parë në Kosovë, si ministër në Qeverinë e re në Maqedoni të Veriut, me qëllim forcimin e bashkëpunimit ekonomik në mes dy shteteve.

Në anën tjetër, ministrja Hajdari njoftoi homologun e saj për proceset e tanishme qeverisëse me rezultate në përmirësimin e klimës së të bërit biznes në Republikën e Kosovës, si dhe për bashkëpunimin e mirë bilateral dhe në nivel rajonal me Republikën e Maqedonisë së Veriut.

Gjatë takimit u fol për vazhdimin e thellimit të bashkëpunimit në mes dy vendeve në fusha të ndryshme ekonomike, gjersa Republika e Maqedonisë së Veriut është partner i rëndësishëm tregtar i Republikës së Kosovës.

Të dy palët u pajtuan për vazhdimin e komunikimit për shfrytëzimin e mundësive të mëdha të zgjerimit të bashkëpunimit rajonal përmes Procesit të Berlinit, i krijuar që nga vitit 2014 si një platformë për të rritur bashkëpunimin midis Gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe vendeve pritëse të Procesit të Berlinit, si dhe BE-së dhe përmes Planit të ri të Rritjes për Ballkanin Perëndimor, për afrimin e partnerëve të Ballkanit Perëndimor me BE-në, i cili Plan i ri ka potencialin të dyfishojë madhësinë e ekonomive të Ballkanit Perëndimor brenda 10 viteve të ardhshme.