Zëvendësministri Mehmeti: Inovacioni dhe teknologjia kyçe për zhvillimin e bizneseve në Kosovë
Prishtinë,
05/05/2026
Është përmbyllur me sukses programi i Akademisë së Inovacionit në Biznes, i organizuar me mbështetjen e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (EBRD), në bashkëpunim me partnerë të tjerë, si Banka për Biznes (BPB), Swiss Entrepreneurship Program (SwissEP) dhe Tech Park.
Në eventin përfundimtar mori pjesë edhe zëvendësministri i Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Jeton Mehmeti, i cili theksoi se inovacioni dhe digjitalizimi janë ndër shtyllat kryesore për rritjen e konkurrueshmërisë së bizneseve.
Sipas tij, programi i Akademisë ka ndihmuar ndërmarrjet pjesëmarrëse të kuptojnë më mirë tregun, të identifikojnë mundësi të reja zhvillimi dhe të avancojnë proceset e tyre përmes përdorimit të teknologjisë dhe inteligjencës artificiale.
Ai vlerësoi se në një ekonomi ku ndërmarrjet e vogla dhe të mesme përbëjnë bazën e zhvillimit, iniciativa të tilla janë thelbësore për rritjen e kapaciteteve të tyre dhe përgatitjen për tregjet ndërkombëtare.
Me këtë rast, Mehmeti shprehu mirënjohje për VentureUP për angazhimin dhe realizimin me sukses të programit, duke e cilësuar atë si një kontribut të drejtpërdrejtë në zhvillimin e ndërmarrësisë dhe inovacionit në Kosovë.
Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit mbetet e përkushtuar për të mbështetur sektorin privat përmes politikave dhe instrumenteve konkrete, përfshirë grantet për digjitalizim dhe inovacion, si dhe nismat për ndërkombëtarizim dhe bashkëpunim ndërmjet bizneseve.
Përmes këtyre përpjekjeve dhe forcimit të partneriteteve, synohet ndërtimi i një ekonomie më inovative, konkurruese dhe të orientuar drejt eksportit.