Lajme

Ministria e Tregtisë dhe Industrisë shënon Ditën Botërore të Konsumatorit me aktivitete nëpër komunat

Prishtinë, 16/03/2021

Ministria e Tregtisë dhe Industrisë përkatësisht Departamenti për Mbrojtjen e Konsumatorit, për nder të 15 marsit - Ditës Ndërkombëtare të Konsumatorit,  ka organizuar fushatë informuese në sheshet e komunave kryesore të Kosovës, duke shpërndarë fletëpalosje me informacione për konsumatorë.

Qëllimi i kësaj fushate është që të informohen qytetarët për drejtat e tyre që ua mundëson ligji. Fletëpalosjet që iu shpërndahen qytetarëve janë informacionet bazë se si bëhet një ankesë në rast se qytetarët konsiderojnë se u janë shkelur të drejtat gjatë blerjes. 

Lëvizja e konsumatorit shënon 15 Marsin si Ditën Botërore të të Drejtave të Konsumatorit çdo vit, si një mjet për të rritur ndërgjegjësimin global për të drejtat dhe nevojat e konsumatorit. Festimi i ditës është një nga mënyrat për të kërkuar që të drejtat e të gjithë konsumatorëve të respektohen dhe mbrohen, si dhe për të protestuar kundër abuzimeve të tregut dhe padrejtësive shoqërore që minojnë ato të drejta.

Mbrojtja e konsumatorit ka të bëjë me ruajtjen e konsumatorëve  nga çdo praktikë abuzive tregtare.

Ministria e Tregtisë dhe Industrisë i inkurajon të gjithë konsumatorët në Republikën e Kosovës se për çdo parregullsi, praktikë abuzive tregtare t’i drejtojnë  ankesat në Departamentin për Mbrojtjen e Konsumatorit.

Ministria e Tregtisë dhe Industrisë është zotuar që t’i mbrojë dhe promovojë të drejtat e konsumatorit në Kosovë.