Lajme

Ministrja Hajdari priti në takim zëvendësambasadorin britanik, Jacob Webber

Prishtinë, 01/04/2021

Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, bashkë me zëvendësministrin Getoar Mjeku dhe këshilltaren e lartë Leman Hatashi, pritën në takim zëvendësambasadorin e Britanisë së Madhe në Kosovës, Jacob Webber, dhe drejtorin e Departamentit për tregti ndërkombëtare në ambasadën e Britanisë së Madhe në Shkup, Nikola Stojanoski, me të cilët bashkëbiseduan për vazhdimin e marrëdhënieve të mira ndërmjet dy vendeve.

Ministrja Hajdari pasi që falënderoj përfaqësuesit e Ambasadës së Britanisë së Madhe për mbështetjen e vazhdueshme ndaj Republikës së Kosovës, bëri një prezantim të shkurtër për gjendjen në sektorët që Ministria mbulon, sfidat, potencialet dhe prioritetet që janë në këtë ministri: Zhvillimi i industrisë, tregtisë, zbatimi i obligimeve që dalin nga Marrëveshja e Stabilizim Asociimit, zhvillimi i ndërmarrësisë, përkrahjen e NVM-ve, zhvillimin  inovacionit në industri, shfrytëzimin e rinisë si potencial për zhvillim ( EU Industrial strategy ) si dhe investimet e huaja.

Zv/ambasadori Webber e përgëzoi ministren për detyrën e re dhe shprehu gatishmërinë e Britanisë për të vazhduar bashkëpunimin dhe përkrahjen për Kosovën në proceset e rëndësishme. Ai ishte i interesuar për prioritetet zhvillimore të qeverisë së re dhe për ndërtimin e një partneriteti të qëndrueshëm mes dy vendeve mike. Z. Webber rikujtoi përqendrimin e Britanisë në ecurinë e shtet-ndërtimit, duke fuqizuar meritokracinë dhe qeverisjen e mirë.

Tutje, z. Webber shprehu interesimin e tij për mundësitë dhe kushtet që ofron Kosova për investitorët e huaj. Ai theksoi se do t’i inkurajojmë kompanitë britanike që t’i shohin mundësitë për të investuar në Kosovë, duke organizuar takime në mes bizneseve për të krijuar bashkëpunime afariste me interes reciprok.

Ministrja Hajdari e falënderoi zv/ambasadorin britanik për mbështetjen e vazhdueshme të Britanisë së Madhe që e ka bërë ndaj Kosovës.

Në fund të takimit, të dy bashkëbiseduesit kanë lartësuar marrëdhëniet e mira bilaterale, që ekzistojnë në mes dy shteteve, duke shprehur përkushtimin për thellimin e mëtejmë të tyre.