Lajme

Ministrja Hajdari priti në takim ambasadorin hungarez Bencze

Prishtinë, 19/04/2021

Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, znj. Rozeta Hajdari, bashkë me këshilltaren e lartë, znj. Leman Hatashi, priti sot ambasadorin e Hungarisë, z. József Bencze, i shoqëruar nga atashe për çështje ekonomike dhe tregtare, znj. Kristina Szabó.

Ministrja Rozeta Hajdari e njoftoi ambasadorin hungarez József Bencze mbi prioritetet e ministrisë lidhur me zhvillimin e industrisë, ndërmarrësisë, përmirësimin e bilancit tregtar dhe progresin për integrim evropian, duke qenë mirënjohëse per përkrahjen e qeverisë hungareze përmes forcimit të bashkëpunimit ekonomik midis Kosovës dhe Hungarisë. Duke pasur parasysh se mbrojtja dhe kujdesi i investimeve janë me rëndësi te veçantë për zhvillimin socio-ekonomik të vendit, ministrja Hajdari shtoi se praktikat e suksesshme të qeverisjes hungareze në promovimin dhe rritjen e investimeve dhe eksporteve janë referencë e mirë për qeverisjen Kurti 2.

Ambasadori hungarez  Bencze duke u pajtuar për rëndësinë e zhvillimit ekonomik në Kosovë, theksoi ndihmën hungareze dhe punën e iniciuar nga ambasada hungareze në vitin 2017, me qëllim të zgjerimit të mëtejshëm të bashkëpunimit midis dy vendeve në sektorë të ndryshëm ekonomikë, përmes krijimit të Komisionit të Përbashkët Ekonomik Hungarez-Kosovar.  Njëherësh, ambasadori hungarez Bencze  shprehu kënaqësinë e tij për pajtueshmërinë e Kryeministrit Kurti për emërimin e përfaqësuesit kosovar nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë në pozicionin e bashkëkryesuesit të Komisionit të Përbashkët Ekonomik Hungarez-Kosovar, i cili komision siguron një kornizë të shkëlqyeshme për zhvillimin e bashkëpunimit ekonomik bilateral në mes Republikës se Kosovës dhe Hungarisë.

Të dy çmuan marrëdhëniet e mira në mes dy shteteve dhe konfirmuan gatishmërinë për të thelluar dhe zgjeruar bashkëpunimin përmes pjesëmarrjes aktive në sesionet e bashkë-kryesuara të ardhshme me bashkëpunim të mirë dhe shkëmbim përvojash në mes Republikës së Kosovës dhe Hungarisë në sektorë te ndryshëm ekonomikë.