Lajme

Ministrja Rozeta Hajdari ka takuar ambasadorin e BE-së në Kosovë, Tomáš Szunyog

Prishtinë, 23/04/2021

Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, znj. Rozeta Hajdari, bashkë me zëvendësministrin z. Getoar Mjekun dhe këshilltaren e lartë, znj. Leman Hatashi, ka pritur në takim ambasadorin e Zyrës së Bashkimit Europian në Kosovë, z. Tomáš Szunyog, i shoqëruar nga z. Vadim Deleu, zyrtarë i politikave në njësinë e Ekonomisë dhe Integrimeve Evropiane dhe znj. Daniela Humann, menaxhere detyre në njësinë e operacioneve në Zyrën e BE-së në Kosovë.

Ministrja Rozeta Hajdari e njoftoi ambasadorin z. Tomáš Szunyog mbi prioritetet e ministrisë lidhur me zhvillimin e industrisë, ndërmarrësisë, përmirësimin e bilancit tregtar dhe progresin për integrim evropian me zbatimin e masave dhe detyrimeve që dalin nga MSA.

Ambasadori z. Szunyog falënderoi për kohën dhe mundësimin e takimit me ministren Hajdari dhe e njoftoi për fushat ku BE do të përkrahë Kosovën, në: i) zbatimin e reformave të rëndësishme për vendosjen e standardeve dhe sistemeve rregullatore si detyrime nga MSA-ja; ii) stimulimin e  zhvillimit të sektorit privat dhe tërheqjen  e Investimeve të huaja direkte; iii) forcimin e mbrojtjes së konsumatorit dhe infrastrukturës për cilësi; iv) avancimin e integrimit ekonomik rajonal të Kosovës, dhe v) balancin  e deficitit tregtar dhe rritjen e eksportit të  Kosovës.

Ministrja Hajdari ngriti çështjen e përkrahjes përmes Fondeve IPA III dhe mundësive të tjera të përkrahjes nga BE-ja, që do të ndihmojnë realizimin më të shpejtë të planeve dhe programeve të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, që tani është në nevojë për ri-strukturim dhe ngritje të kapacitete për rritjen dhe zbatimin e fondeve për zhvillimin e sektorit privat si shtyllë kryesore për zhvillim socio-ekonomik.