Lajme

Ministrja Hajdari priti në takim ambasadorin e Austrisë Weidinger

Prishtinë, 28/04/2021

Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, znj. Rozeta Hajdari, bashkë me këshilltaren e lartë, znj. Leman Hatashi, priti ambasadorin e Austrisë në Kosovë, z. Christoph Weidinger, ( më 23 prill 2021) i shoqëruar nga znj. Sandra Horina, konsull dhe shefe e Zyrës së shtetit dhe znj. Albulena Zajmi, menaxhere për Programin e Edukimit.

Ministrja Hajdari e njoftoi ambasadorin mbi prioritetet e ministrisë, duke nënvizuar zhvillimin e politikave të industrisë, promovimin e investimeve dhe eksportit, përmirësimin e bilancit tregtar të vendit, sfidat që ka sektori privat dhe nevoja për përkrahje të bizneseve fillestare, të vogla dhe të mesme, ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve që mbulojnë portfoliot e industrisë, ndërmarrësisë dhe inovacionit, si dhe tregtisë. Ajo theksoi zotimin e saj për përmbushjen e detyrimeve dhe zbatimin e masave që dalin nga MSA për përafrimin gradual të legjislacionit vendor me acquis-në e BE-së.
 
Ambasadori austriak Weidinger, e falënderoi dhe e uroi ministren Hajdari për mandatin e ri duke shprehur gadishmërinë e tij për perkrahje dhe investime nga Austria në Kosovë, duke theksuar interesimin e 20 kompanive austriake për investime në Kosovë.

Në vazhdim të përkrahjes nga Agjencia për Zhvillim e Austrisë (ADA) përmes projekteve në fushën e arsimit dhe aftësimit profesional, zhvillimit të sektorit privat, ambientit dhe qeverisjes së mirë, znj. Sandra Horina, e informoi minstren për përgatitjen e vlerësimit të sfidave ekonomike për sektorin privat, ‘digitalizimi i NVM-ve’ dhe shprehi gadishmërinë e saj për përkrahje të vazhdueshme ndaj NVM-ve, zhvillim të industrisë dhe promovim të eksportit.

Të dyja palët u dakorduan që të vazhdojnë takimet më të shpeshta dhe konkretizim të projekteve të ardhshme me bashkëfinancim nga BE.