Lajme

Përfundon projekti i BE-së “Lëvizja e Lirë e Mallrave”, ministrja Hajdari i vlerëson arritjet e këtij projekti

Prishtinë, 15/07/2021

Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, mori pjesë në ceremoninë e mbylljes së projektit “Mbështetja e BE-së për Lëvizjen e Lirë të Mallrave”.

Ministrja tha se po festojnë rezultatet e katër viteve të bashkëpunimit të ngushtë, midis Bashkimit Evropian dhe Kosovës, në fushën e Infrastrukturës së Cilësisë dhe Mbrojtjes së Konsumatorit për produkte më të sigurta, për testime të besueshme, për matje të sakta, rritje të mbrojtjes së konsumatorit dhe qasje më të mirë më standarde.

“Zbatimi i marrëveshjes së Stabilizimin Asociimit  është një prej prioriteteve të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe një  prej synimeve të kësaj marrëveshje është edhe Lëvizja e Lirë e Mallrave. Në këtë drejtim, Kosova kërkon t’i zgjerojë marrëdhëniet tregtare me BE-në dhe vendet e tjera ku zbatimi i standardeve ndërkombëtare dhe miratimi i praktikave më të mira ndërkombëtare është qëllim i përbashkët i vendeve”, tha ministrja Hajdari.

Ajo tha se beson që projekti Lëvizja e Lirë e Mallrave, i financuar nga BE-ja, ka kontribuar në mënyrë të konsiderueshme në përmirësimin e sigurisë së produktit, mbrojtjen e konsumatorit dhe në infrastrukturën e cilësisë së Kosovës.

“Përpjekjet tona të përbashkëta për zbatimin e projektit kanë qenë të rëndësishme në sjelljen e propozimeve që janë të dobishme për reformat ligjore të sektorëve, duke përfshirë standardet dhe metrologjinë, mbrojtjen e konsumatorit dhe inspektimin e specializuar. Kontributi i këtij projekti është se përmirëson aftësinë konkurruese të ndërmarrjeve, krijon një sistem për qytetarët për të siguruar produkte më të sigurta dhe shërbime më të mira, si dhe rrit besimin e blerësve dhe partnerëve tanë të biznesit. Kështu që këto rezultate formojnë themelin mbi të cilin ne mund të ndërtojmë ura të tregtisë. Akreditimi dhe Metrologjia krijojnë besim në rezultatet e testimit dhe certifikatave në Kosovë për produktet, për testet mjekësore, për aftësitë, respektivisht kompetencat”, tha Hajdari.

Sipas ministres, përmirësimi dhe mbrojtja e konsumatorit krijon besim si për konsumatorët ashtu edhe për tregtarët. “Andaj institucionalizimi i të gjitha këtyre rezultateve vërtet krijon besim si për konsumatorët ashtu edhe për tregtarët dhe mendoj se është një arritje e madhe që projekti ka ofruar një mundësi për të bashkëpunuar me departamentet dhe agjencitë në MINT, siç janë Agjencia e Standardeve të Kosovës, Agjencia e Metrologjisë, Drejtoria e Përgjithshme e Akreditimit, Inspektorati i Tregut dhe Departamenti i Mbrojtjes së Konsumatorëve bashkë me homologët e tyre evropianë për të marrë njohuri dhe informacione dhe për të mësuar praktikat më të mira dhe më të përshtatshme për vendin tonë. Shpresoj se rezultatet e bashkëpunimit aktual të shtrihen përtej afatit kohor të projektit”, u shpreh ministrja Hajdari.

Po ashtu, ministrja Hajdari ka theksuar se do të vazhdojnë të punojnë me parterin e Kosovës, BE-në, për të forcuar iniciativat në tregti, mbrojtjen e konsumatorit, sigurinë e produktit dhe për të lidhur politikat dhe përforcimin e zbatimit.

Përfaqësuesi i posaçëm i BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog, vlerësoi se projekti “Lëvizja e Lirë e Mallrave”, i financuar nga BE-ja, ka pasur arritje të mëdha.

“Ky shembulli mirë i bashkëpunimit të Kosovës dhe BE-së, përmes largimit të barrierave teknike, siç janë procedurat e ndryshme administrative, e që në këtë mënyrë tregtia mund të lulëzojë për një zhvillim të mëtejshëm ekonomik dhe për t’u siguruar se mundësitë e rritjes ekonomike përkthehen në përpjekje më të mira në diversifikimin e ekonomisë dhe zhvillimin e qëndrueshëm. Ky projekt mbështet Kosovën në rritjen e standardeve dhe iu ndihmon bizneseve për t’i shtrirë produktet e tyre në tregjet ndërkombëtare”, tha ai.

Kurse drejtuesi i ekipit të projektit Lëvizja e Lirë e Mallrave, Vitomir Fister, tha se projekti ka pasur qëllim mbështetjen e infrastrukturë së cilësisë, mbikëqyrjen e tregut, rritjen e mbrojtjes së të drejtave të konsumatorit, si dhe përmirësimin e procesit të prodhimit dhe sigurinë e produkteve.

Ai u shpreh i kënaqur se pas 3 viteve e gjysmë punë, qëllimi i projektit është arritur duke ndikuar në përmirësimin e këtyre fushave.