Lajme

Ministrja Hajdari fton bizneset të aplikojnë në tri grant-skemat për subvencionim të bizneseve, në vlerë prej 3 milionë e 650 mijë eurosh

Prishtinë, 31/08/2021

Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, ka mbajtur konferencë për media. Qëllimi i konferencës ishte që të informohet opinionin publik për lansimin e tri grant-skemave për subvencionim të bizneseve (NMVM), në vlerë prej 3 milionë e 650 mijë eurosh.

Ministrja Hajdari e theksoi qëllimin e përgjithshëm të grant-skemave dhe arsyen e përkrahjes direkte financiare për sektorin privat.

Sipas ministres Hajdari, e gjithë kjo ndihmë është për të mundësuar arritjen e objektivave qeveritare për krijimin e vendeve të punës, për rritjen e eksporteve dhe më gjerë. Të gjitha këto skema do të zbatohen me parimin kryesor të qeverisjes së mirë, që do të thotë më shumë trajtim të barabartë, gjithëpërfshirje, transparencë dhe llogaridhënie për të gjithë qytetarët tanë.

Gjithashtu, ministrja i sqaroi edhe kriteret për sektorët  e ndërmarrjeve që do të përkrahen dhe me parimet e transparencës dhe llogaridhënies. Këtë herë mënyra e aplikimit dhe e vlerësimit do të bëhet online përmes platformës e-Kosova.

Ministrja Hajdari i shpjegoi objektivat e tri grant-skemave, që janë të ndara në tri kategori:

Në kategorinë “Thirrje publike për financimin e Ndërmarrjeve Mikro, të Vogla dhe të Mesme në fusha specifike” do të përkrahen bizneset në ngritjen e kapaciteteve profesionale, zhvillimin e produkteve dhe shërbimeve të reja, qasjen në financa dhe rritjen e potencialit për eksport. Për këtë kategori janë ndarë 2,000.000.00  (dy milionë) euro.

Në kategorinë “Thirrje publike për financimin e bizneseve, që do të krijohen Start-Up me Spin – off dhe bizneseve fillestare Start-Up, për përkrahje të projekteve Inovative” do të përkrahen direkt me mjete financiare bizneset që do të krijohen në Start-Up me Spin-off (personat fizikë që do të regjistrojnë ndërmarrjen në rast se e fitojnë grantin), si dhe bizneset fillestare Start-Up, të themeluara 3 muaj deri në 3 vite më parë. Për këtë kategori janë ndarë 1,150,000.00 € (një milion e njëqind e pesëdhjetëmijë) euro.

Në kategorinë “Thirrje publike për subvencionim të NVM-ve për blerjen e makinerive prodhuese /përpunuese” nga KIESA do të përkrahen Ndërmarrjet Mikro, të Vogla dhe të Mesme (NMVM) për të përmirësuar proceset e prodhimit dhe përpunimit më qëllim të rritjes së konkurrueshmërisë. Për këtë kategori janë ndarë 500,000.00 (pesëqind mijë) euro.

Rritja e punësimit të grave dhe personave me nevoja të veçanta është kriter për të gjitha kategoritë/sektorët në këto tri grant-skema.

Në fund, ministrja Hajdari i ftoi dhe i inkurajoi të gjitha bizneset(NMVM), bizneset fillestare ‘Start-Up’ dhe personat fizikë, të aplikojnë për mbështetje financiare përmes këtyre  grant-skemave, që janë lansuar në faqen e internetit të Ministrisë dhe në Platformën elektronike e-Kosova.

Ndërsa, këshilltarja e lartë e ministres, Leman Hatashi, ka bërë me dije se janë tri grant-skema, secila e ndarë në tri Lote,  si dhe ka sqaruar vlerat minimale dhe maksimale të granteve, që përfituesit do t’i kenë.