Lajme

Qeveria ka miratuar dy dokumente të MINT

Prishtinë, 09/09/2021

Në mbledhjen e 34-të të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe me propozim të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT) është miratuar Programi për Mbrojtjen e Konsumatorit 2021–2025, i cili fuqizon mbikëqyrjen dhe transparencën në treg sipas praktikave më të mira evropiane, duke mbrojtur konsumatorin në aspekte të sigurisë, cilësisë, çmimit, larmisë e disponueshmërisë së mallrave dhe shërbimeve.

Po ashtu, me propozim të MINT është miratuar edhe Koncept-Dokumenti për Fushën e Sigurisë së Përgjithshme të Produkteve, që është pjesë e reformës ligjore për lëvizjen e lirë të mallrave, sipas normave të BE-së. Ky dokument vendos bazën për hartimin e një ligji të ri për sigurinë e përgjithshme të produkteve, që do të jetë në harmoni me legjislacionin kornizë dhe do të parandalojë efektshëm prodhimin dhe tregtimin e produkteve mashtruese.

MINT në vazhdimësi angazhohet për të përmirësuar dhe avancuar fushat që kanë për qëllim zhvillimin e ekonomisë së vendi, si dhe përkujdesje të vazhdueshme për sigurinë e produkteve për konsumatorët.