Lajme

Shënohet Dita Botërore e Turizmit, ministrja Hajdari potencon se Qeveria e ka prioritet zhvillimin e Turizmit

Prishtinë, 28/09/2021

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë në bashkëpunim me Shoqatën “Unioni i Turizmit” , me Komunën e Pejës, si dhe me përkrahje nga UNDP-ja kanë shënuar Ditën Botërore të Turizmit, duke i vizituar pikat turistike dhe atraksionet turistike të Regjionit të Pejës.  Në këtë ngjarje ishin prezentë përfaqësues vendorë të fushës së turizmit si dhe përfaqësues nga bashkëpunimi ndërkombëtar.

Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, ka thënë se janë bërë punë dhe projekte  të mira në turizëm, por ka ende punë për t’u bërë.

Sipas ministres programi qeverisës e ka në prioritet zhvillimin e turizmit, si potencial të jashtëzakonshëm që ka Republika e Kosovës për zhvillim ekonomik.

“Unë jam mirënjohës për pjesëmarrjen e juaj, në shënimin e Ditës Botërore të Turizmit 27 Shtator, dhe bashkë me ju mendoj se do ta zhvillojmë turizmin edhe më mirë. Janë bërë punë të mira, por ka ende shumë punë për t’u bërë. Tani me programin e ri të Qeverisë, turizmin e kemi prioritet, ku në këtë prioritet parashohim që të zhvillojmë turizmin kulturor dhe turizmin natyror, me zhvillim dhe shfrytëzim efikas të shumë potencialeve që kemi, me qëllim që të krijojmë zinxhirin e ofertës sonë për turizmit, sepse me rininë tonë të bukur dhe shume inovative që kemi, me gastronominë dhe artizanatet tona të bukura, me malet e fushat dhe më mikpritjen e ngrohtë e më shumë shpirt ndërmarrësie, ne mund të sjellim zhvillim më të shpejtë ekonomik të vendit tonë”, ka thënë ministrja Hajdari.

Ministrja ka thënë se janë duke finalizuar strategjinë dhe ligjin për turizmin dhe në të njëjtën kohë duke e përkrahur turizmin me thirrje të granteve për inovacion dhe ndërmarrësi.

“Do të finalizojmë tani edhe strategjinë, veç se është në finalizim e po ashtu edhe aprovimin e ligjit për turizmin, i cili veç se është finalizuar dhe tani është në pritje në Zyrë të Kryeministrit për komentet finale.  Me ligjin për turizmin do të mundësohet edhe autorizimi i guidave dhe ofrohet mbështetja dhe mundësitë që ju si akterë të turizmit t’i lidhni potencialet e turizmit si zinxhir, siç janë: gastronomia, artizanatet, turizmi rural, malor, sporti dhe kultura, e shumë sektorë të tjerë, që mund të jenë pjesë e zinxhirit të vlerës për sektorin e turizmit”, u shpreh ministrja Hajdari.

Ministrja po ashtu ka potencuar se shtetet e Evropës Juglindore pritet që ta plotësojnë njëra-tjetrën me oferta të përbashkëta rajonale, që të ndikojnë në zhvillimin e rajonit dhe integrimin evropian.

“Ne si rajon duhet të integrohemi së bashku me vendet tjera në Ballkanin Perëndimor ose Evropën Juglindore më mirë të themi, sepse Evropa na sheh si një treg i përbashkët rajonal me parimet e barazisë dhe sipas procesit te Berlinit, ashtu siç janë integruar edhe shtetet evropiane në BE, e cila ishte rrugë shumë e gjatë. Andaj, si gjashtë shtete të Ballkanit Perëndimor, ne duhet ta plotësojmë njëra-tjetrën për të krijuar edhe ofertën rajonale të turizmit në interes të përbashkët rajonal dhe me parimet e barazisë.

Tutje, Ministrja Hajdari theksoi rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë në mes akterëve qeveritarë dhe jo qeveritarë të fushës se turizmit “Unë pa akterët e turizmit nuk mund të arrij sukses. Sepse të gjitha evidencat nga terreni janë shumë të rëndësishme, të cilat na njoftojnë si të marrim vendimin më mirë”, ka thënë ministrja Hajdari.

Ministrja gjithashtu ka treguar se Kosova do të marrë pjesë në Ekspozitën Ndërkombëtare “Expo Dubai 2020”, ku do të marrin pjesë 192 shtete.

“Expo Dubai 2020 është  ekspozitë botërore, që organizohet në çdo pesë vite. Kësaj radhe në Expo Dubai do të marrin pjesë 192 shtete nga bota që përbëjnë 95 për qind të popullatës së botës dhe në këtë ekspozitë, pritet të kemi 25 milionë vizitorë, përfshirë edhe investitorë potencialë në shumë sektorë, përfshirë edhe turizmin, sipas javëve tematike, gjatë periudhës 1 tetor 2020 deri me 31 mars 2022.

 “Në këtë Ekspozitë Ndërkombëtare ne i kemi sjell prioritet turizmit, ndër sektorë tjerë siç janë: industria, energjia, mjedisi, shkenca, kultura, trashëgimia kulturore, sporti, inovacioni, e shumë tema tjera që do të marrin pjesë sipas javëve tematike në programin 6-muajsh të Expo Dubai 2020”, është shprehur ministrja.

Ndërsa përfaqësuesi nga UNDP-ja, Niels Knudsen, tha se Kosova ka shumë potencial dhe vende të bukura për t’u vizituar, e veçanërisht ushqimi dhe mikpritja.  Ai tha se UNDP është e interesuar që të ofrojë përkrahje me partnerë, duke përkrahur edhe bizneset e vogla, dhe të mbrohet natyra duke përfshirë edhe rininë.

Në anën tjetër, Enrico Azzone përfaqësues i Agjencisë Italiane për Bashkëpunim dhe Zhvillim (AICS)- dega në Tiranë, bëri të ditur se janë duke bërë një projekt për turizmin, që do të lidhë shtetet e Ballkanit.Ai tha se projekti “Via Dinarica” , që AICS është duke e planifikuar dhe ka për qëllim zhvillimin e turizmit malor në territorin e Kosovës për t’u lidhur me vendet fqinje.

Kurse Baki Hoti, përfaqësues i Unionit të  Turizmit të Kosovës, ka thënë se bashkëpunimi me Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, e bën edhe më të veçantë Ditën Botërore të Turizmit, duke promovuar vlerat e Kosovës. Ai ka thënë se Unioni mbetet i përkushtuar të jetë faktor i zhvillimit të turizmit duke bashkëpunuar me institucionet e Kosovës.