Lajme

Miratohen tri projektligje të MINT-it në Qeverinë e Kosovës

Prishtinë, 14/10/2021

Në mbledhjen e 39-të të Qeverisë së Republikës së Kosovës janë miratuar tri projektligje, të përgatitura nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT).

Projektligji për Patentat - është një nga pesë aktet e reformës ligjore në fushën e pronësisë industriale. Ky akt cakton qartë kushtet dhe mënyrën e regjistrimit të patentës, njohjen e së drejtës së përparësisë, si dhe pajisjen me certifikatë të mbrojtjes suplementare. Projektligji parasheh saktë përgjegjësitë e Agjencisë së Pronësisë Industriale, thjeshton procedurat administrative dhe rrit efiçiencën dhe efektshmërinë e tyre.

Nxitja dhe mbrojtja e krijimtarisë intelektuale është kyçe për zhvillimin ekonomik të vendit, andaj dhe miratimi i këtij projektligji i ndihmon këtij synimi. Përfundimisht, Projektligji për Patentat avancon infrastrukturën ligjore në fushën e pronësisë industriale, duke e sjellë atë në përputhje me legjislacionin e Bashkimit Evropian, siç parashihet me Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit. MINT ka ndjekur të gjitha procedurat e parapara për këtë nismë legjislative.

Projektligji për Dizajnin Industrial - është projekti tjetër i reformës në fushën e pronësisë industriale, po ashtu i hartuar në përputhje me legjislacionin e Bashkimit Evropian. Projektligji përcakton rregulla të thjeshta të procedurave që duhet ndjekur për të mbrojtur dizajnin industrial, që ngërthen punën krijuese e cila cakton formën dhe veçoritë e produktit. Projektligji u jep mbrojtje të duhur si pronarëve vendas ashtu pronarëve të huaj, duke mundësuar njohjen e regjistrimit ndërkombëtar. Gjithashtu përmirëson mbrojtjen e dizajnit industrial përmes rrugëve gjyqësore, që në rastin e Republikës së Kosovës nënkupton Gjykatën Komerciale.

Projektligji për Dizajnin Industrial është hartuar në përputhje me rregulloren e punës së qeverisë dhe legjislacionin e zbatueshëm për hartimin e akteve normative, duke pasur parasysh veçanërisht rolin e projektligjit në nxitjen dhe mbrojtjen e industrisë prodhuese.

Projektligji për Mbrojtjen e Konkurrencës - mbulon zbrazëtitë dhe sanon të metat e legjislacionit të deritanishëm. MINT ka hartuar këtë projektligj me përpikëri, duke marrë parasysh vërejtjet e ekspertëve në rangun evropian dhe duke i kushtuar rëndësi të veçantë gjuhës së përdorur. Si rrjedhojë, kemi arritur të përmbyllim një projektligj të thukët, por që definon qartë dhe fuqizon rolin e Autoritetit të Konkurrencës së Republikës së Kosovës, përcakton procedurat që ndjek Autoriteti në hetimin e parregullsive në treg, përkufizon marrëveshjet dhe veprimet e ndaluara që cenojnë konkurrencën, si dhe parasheh gjoba të efektshme në pajtim me legjislacionin e BE-së.

Mbrojtja e konkurrencës është jetike për Republikën e Kosovës, veçanërisht në këtë periudhë të qeverisjes së re dhe të sfidave të pandemisë nga Covid-19. Autoriteti i Konkurrencës duhet të funksionalizohet sa më parë dhe të ketë bazën e duhur juridike për të vepruar në përmbushje të misionit të vet.