Lajme

Kryeministri Kurti dhe ministrja Hajdari bënë hapjen zyrtare të “Ditëve të Biznesit Kosovar”, paraqesin prioritetet e qeverisë para bizneseve

Prishtinë, 12/11/2021

Kryeministri i Republikës Kosovës, Albin Kurti, bashkë me ministren e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, më 4 nëntor 2021, kanë bërë hapjen e fushatës “Ditët e biznesit Kosovar dhe dialogu me sektorin privat”, duke e vë theksin në mbështetje ndaj bizneseve vendore.

Ministrja Hajdati ka thënë se që nga fillimi i mandatit të saj ministria që e drejton ka marrë titullin Ministri e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, e që kjo sipas saj, përçon një mesazh se si qeveri janë për të ndihmuar prodhuesin dhe ndërmarrësin dhe shpirtin e ndërmarrësisë.

Ministrja ka folur para bizneseve edhe për prioritet e ministrisë. “Qeveria e Republikës së Kosovës së bashku me ministrinë që e drejtoj është në prioritetet e saj të caktuara, me gjithsejtë 5 prioritetet e ministrisë që e drejtojmë. Pra rritja e konkurrueshmërisë së sektorit privat, nxitja e investimeve, inovacioni dhe ndërmarrësia, si dhe prioritet të veçantë kanë infrastruktura e cilësisë dhe turizmi. Prandaj vlen të përmendet  se turizmi është një nga prioritetet e reja, si prioritet i 5-të i kësaj ministrie dhe jemi të bindur se kemi shumë potenciale për ta zhvilluar edhe industrinë e shërbimit, përpos industrisë prodhuese dhe përpunuese”, potencoi ministrja Hajdari.

Ajo ka përmendur edhe resurset e Kosovës dhe potencialin e të rinjve, që sipas saj, janë motiv i mjaftueshëm për të punuar me vetëmohim që të krijohen vende pune për secilin prej tyre dhe që këto resurse të kthehen në shërbim në të mirën e përgjithshme të popullit.

“Prandaj ndërmarrësit dhe prodhuesit i duhet një shtet i të drejtës ku ligjet zbatohen, e mbi të gjitha ku ligjet janë të krijuara për t’iu shërbyer edhe interesave të ndërmarrësve, që bashkë me ne shohin një të ardhme të ndritur për ekonominë e shtetit tonë. Në këtë drejtim vetëm gjatë muajve shtator dhe tetor, po ashtu edhe muajve paraprak, me vendim të qeverisë janë miratuar shumë ligje. Përpos Gjykatës Komerciale, është edhe Ligji për Tregti të Jashtme, Ligji për Mbrojtjen e Konkurrencës, Ligji për Dizajnin Industrial,  për Patenta , Ligji për Zonat Ekonomike dhe rishikimi i Ligjit për Investime të Huaja”, ka theksuar ministrja Hajdari.

Ministrja ka folur edhe rritjen e bizneseve që ka ndodhur këtë muaj. “Ndërsa në të njëjtën kohë janë regjistruar edhe shumë biznese, gjithsejtë 916 biznese të reja, që tregon për rritjen e besimit dhe shpresës të të bërit biznes në shtetin tonë ku sundon vetëm ligji dhe e drejta”, ka thënë ajo.

Ministrja ka potencuar se në të njëjtën periudhë, në tetor dhe më herët në shtator, në fushën e inovacionit dhe ndërmarrësisë janë themeluar grupet për hartimin e politikave për inovacion dhe ndërmarrësi dhe është finalizuar dokumenti për masën e 5-të të planit për reformat në ekonomi 2022-2024.

“Është shumë e rëndësishme të përmendi se kemi marrë disa vendime si ministri, masat mbrojtëse antidamping, si dhe masat mbrojtëse për bllokat dhe koncentratin nga Serbia në vlerë prej 00.3 cent. Me datën 24 shtator 2021 kam dërguar letrën te CEFTA dhe kam adresuar çështjen e Kosovës në këtë mekanizëm. Përmes letrës kam kërkuar që UNMIK të largohet nga kjo marrëveshje me qëllim që Kosova të ketë trajtim të barabartë me shtetet tjera”, ka deklaruar ministrja.

Ministrja gjithashtu ka pohuar se rritja ekonomike që ka ndodhur është si angazhim i qeverisë. “Rritja ekonomike nuk mund të jetë e rastësishme me një qeveri që ka prioritet dhe punon për të njëjtën gjë, rritjen dhe zhvillimin e qëndrueshme ekonomik”, është shprehu ministrja.

Ndërsa kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti ka potencuar se qeverisja e mirëfilltë, zhvillimi ekonomik dhe mirëqenia e qytetarëve, përmes një programi të zbatueshëm janë vizion i qeverisë.

Sipas kryeministrit Kurti, për mirëqenie nevojitet zhvillim ekonomik i qëndrueshëm, por edhe sa më i shpejtë. “Në programin qeverisës, një nga qëllimet tona strategjike është përmirësimi i konkurrueshmërisë së ndërmarrjeve, në rajon e më gjerë, që synojmë ta arrijmë nëpërmjet avancimit të politikave në sektorin e industrisë dhe investimeve, si dhe përmirësimi i shërbimeve në infrastrukturë të cilësisë”, ka deklaruar kryeministri Kurti.

Kryeministri ka përmendur faktin se dialogu i vazhdueshëm mes nesh është i domosdoshëm që vizionin dhe programin e qeverisë ta përkthejmë në veprime sa më të efektshme dhe më frytdhënëse.

“Punët e mira të qeverisë, madje i atribuohen komunikimit, bashkëpunimit e bashkërendimit mes politikave qeveritare dhe komunitetit të biznesit”, ka thënë kryeministri Kurti.

Ministria e  Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë  është duke e zhvilluar fushatën për informimin e bizneseve “Ditët e Biznesit Kosovar”, që e ka filluar më 1 nëntor dhe do të vazhdojë deri më 17 dhjetor të këtij viti nëpër disa komuna të Kosovës.