Lajme

Ministrja Hajdari ka marrë vendim për hetimin e produkteve konditorike, ëmbëlsirave dhe biskotave që vijnë nga Serbia në Kosovë

Prishtinë, 18/11/2021

Në konferencën për media, ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, i ka njoftuar qytetarët se ka marrë vendim për hapjen e hetimeve zyrtare për masat mbrojtëse të importeve të disa produkteve nga Serbia.

Ministrja Hajdari ka sqaruar për opinionin publik se këtë vendim e ka marrë duke u bazuar në rekomandimet e Departamentit të Tregtisë për importin e produkteve konditorike, gjegjësisht ëmbëlsirave dhe biskotave të importuara nga Serbia, sipas Kodit në TARIK H.S 19 05.

Ajo ka thënë se këtë vendim e ka marrë bazuar në ligjin për masa mbrojtëse në importe, nenin 7, paragrafin 3, por sipas saj ky ligj nuk është zbatuar aq sa duhet në të kaluarën. Sipas ministres, Kosova ka bazë të plotë ligjore të marrë vendime të tilla kur ka importe të padrejta apo politika tregtare të padrejta nga vendet tjera, kjo për të mbrojtur prodhuesit e Kosovës nga importe te tilla.

“Bazuar në nenin 7, paragrafin 3 të Ligjit për Masat Mbrojtëse dhe Importe, Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, pas rekomandimit të Departamentit të Tregtisë dhe pas konsultimeve me Komisionin për Vlerësimin e Masave Mbrojtëse në Importe, inicion hetimin për importimin e produkteve konditorike, ëmbëlsirave dhe biskotave të importuara nga Serbia sipas Kodit TARIK H.S 19 05. Në bazë të analizave preliminare statistikore, produktet e importuara në territorin e Republikës së Kosovës janë në sasi të rritur dhe në kushte të tilla po shkaktojnë ose kërcënojnë t’i shkaktojnë dëm serioz prodhuesve vendorë të produkteve të ngjashme ose konkurruese në Republikën e Kosovës”, ka bërë të ditur ministrja Hajdari.

Ministrja gjithashtu ka sqaruar se këtë vendim e ka marrë bazuar në Ligjin për Masat Mbrojtëse në Importe, që bazohet kryesisht në parimet bazë të Organizatës Botërore të Tregtisë dhe po ashtu nga praktikat më të mira ndërkombëtare.

Gjithashtu, ajo ka folur edhe për statistika, që tregojnë se ka një rritje të këtyre produkteve që hyjnë në Kosovë, ndërsa eksporti i Kosovës në Serbi i produkteve konditorike është 1 për qind e totalit.

“Statistikat tregojnë se ka një rritje të importit të këtyre produkteve të importuara nga Serbia krahasuar me periudhën e njëjtë të viteve të kaluara. Gjatë nëntëmujorit të vitit 2021 importi i këtyre produkteve përbën 29 për qind të importit total, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2020, është shënuar në rritje prej 10 për qind. Ndërsa eksporti i Kosovës në Serbi për të njëjtën periudhë kohore gjatë vitit 2020 dhe 2021 është vetëm 1 për qind nga eksporti total i këtyre produkteve nga Kosova”, ka thënë ministrja.

Sipas ministres Rozeta Hajdari, ajo është e përkushtuar çdo herë në mbrojtje të konsumatorëve dhe në mbështetje të bizneseve, respektivisht në mbështetje të prodhuesve vendorë me qëllim të rregullimit të tregut vendor nga praktikat e padrejta tregtare.

Shënim: Ligji nr.06/L-040 për masat mbrojtëse në importe përcakton: "Ky ligj zbatohet për aplikimin e masave mbrojtëse në import dhe mbrojtjen e prodhuesve vendorë në rastet kur ata dëmtohen apo kërcënohen për dëmtim serioz nga importi i mallrave të cilat ndikojnë në çrregullimin e tregut. Pra, kur kemi një rritje enorme të importit për një produkt të caktuar krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit paraprak".

Vendim nr. 9327-01 për hapjen të hetimeve zyrtare për masat mbrojtëse në importe