Lajme

Qeveria e Kosovës miratoi tri projektligje të MINT

Prishtinë, 24/11/2021

Qeveria e Republikës së Kosovës, në mbledhjen e saj të 45-të, ka miratuar tri projektligje të propozuara nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT).

Projektligji për Markat Tregtare qartëson procedurat e regjistrimit dhe forcon mbrojtjen gjyqësore të markave tregtare, në përputhje me legjislacionin e BE-së.

Ky projektligj përcakton kushtet dhe mënyrën e regjistrimit të markave tregtare, duke qartësuar njëherësh procedurën e kundërshtimit. Po ashtu, projektligji në veçanti krijon bazën për digjitalizimin e shërbimeve, si dhe forcon mbrojtjen e markës tregtare përmes gjykatës, duke marrë parasysh legjislacionin vendor për procedurat gjyqësore. Fuqizimi i këtij projektligji në ligj pashmangshëm do të kontribuojë në përmirësimin e klimës së biznesit dhe në nxitjen e investimeve dhe zhvillimit në Republikën e Kosovës.

Projektligji për Sekretet Tregtare  zbatohet për njohuritë dhe informatat e pazbuluara të biznesit (sekreteve tregtare), që kanë efekt perspektiv brenda territorit të Republikës së Kosovës. Deri më tani nuk ka pasur legjislacion të duhur për mbrojtjen e sekretit tregtar. Projektligji për Sekretet Tregtare është një nga 5 ligjet e pakos së reformës në këtë fushë, që do të harmonizojë ligjet vendore me ato të BE-së. Projektligji për Sekretet Tregtare, i pari i këtij lloji në Kosovë, përmbyll reformën në fushën e pronësisë industriale, duke mbrojtur veprimtarinë e ndërmarrjeve tona.

Projektligji për Turizmin synon të vendosë bazën ligjore për zhvillimin e turizmit konkurrues dhe të qëndrueshëm në Republikën e Kosovës, duke shfrytëzuar burimet natyrore, kulturore, njerëzore e financiare, në harmoni me legjislacionin e BE-së dhe standardet bashkëkohore. Projektligji zbatohet për të gjitha institucionet publike dhe operatorët ekonomikë, siç janë agjencitë turistike, udhërrëfyesit turistikë, strukturat akomoduese dhe ofruesit e tjerë të shërbimeve turistike.
Ekspertët e projektit, të financuar nga Komisioni Evropian, kanë vlerësuar se ligji ekzistues i turizmit duhet të ndryshohet për të transpozuar Direktivën e Shërbimeve të BE-së. Po ashtu, organizatat e shoqërisë civile, duke përfshirë organizatat hulumtuese dhe shoqatat e operatorëve ekonomikë, kanë bërë thirrje gjithashtu për ndryshimin e ligjit. Konsultimet kanë përfshirë institucionet përgjegjëse, hisedarët dhe publikun e gjerë, dhe projektligji është përgatitur me kujdes për procedim në Qeveri.

Në këtë mbledhje të Qeverisë së Kosovës është miratuar edhe Koncept-dokumenti për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për mbrojtjen e konsumatorit 06/L-34, i cili parasheh ndryshime ligjore të nevojshme për të përmbushur detyrimet nga Kushtetuta dhe Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit.Rishikimi i Ligjit për Mbrojtjen e Konsumatorit do të mundësojë: përditësimin e dispozitave ndëshkuese administrative dhe penale, që duhet të harmonizohen me ligjet përkatëse për kundërvajtjet dhe t’u përshtaten nevojave konkrete për zbatimin e ligjit;  harmonizimin e ligjit tonë me normat e Bashkimit Evropian, duke përfshirë reformat e parapara me Direktivën 2019/2161; si dhe përshtatjen e ligjit ndaj mënyrave të reja të të bërit biznes në Kosovë, për të mundësuar zgjidhjen e shpejtë të mosmarrëveshjeve konsumator–tregtar dhe për të nxitur zhvillimin e mbarë të tregtisë.
Ky koncept-dokument është përgatitur në përputhje me normat për hartimin e koncept-dokumenteve dhe përbën një masë të domosdoshme për mbrojtjen e konsumatorit dhe zhvillimin e drejtë të ekonomisë së vendit.