Lajme

Kosova promovon kapacitetet turistike në “Expo 2020 Dubai”

Prishtinë, 30/11/2021

Promovimi i kapaciteteve turistike  dhe hoteliere ka qenë segmenti kryesor që ka përshkuar aktivitetet e Republikës së Kosovës në “Expo 2020 Dubai” gjatë javës.

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT) ka bërë organizimin e pjesëmarrjes së komuniteti të biznesit të fushës së hotelerisë dhe turizmit në ekspozitën botërore “Expo 2020 Dubai” për të promovuar potencialet turistike dhe hoteliere të Kosovës.

Në këtë ekspozitë, përfaqësuesit e MINT bashkë me përfaqësuesit e shoqatave kanë prezantuar potencialet turistike të Kosovës, ndërkaq përfaqësuesit e bizneseve hoteliere dhe turistike kanë prezantuar ofertat e tyre turistike dhe hoteliere në pavionin e Kosovës. Po ashtu përfaqësuesit e komunitetit të bizneseve kanë zhvilluar takime, me interes bashkëpunimi, me përfaqësues nga vende të ndryshme të botës.

Përgjatë prezantimeve, përveç përfaqësuesve të shteteve pjesëmarrëse, ka pasur edhe interesim të vizitorëve lokalë dhe turistëve të huaj, të cilët janë interesuar për ofertat, atraksionet  e akomodimet, si dhe për kushtet sesi mund të kalohen fundjavat apo pushimet në destinacionet e ndryshme, që ofron Republika e Kosovës.

MINT ka mbështetur pjesëmarrjen e shoqatave hoteliere dhe turistike, si dhe përfaqësuesit e bizneseve të fushës së hotelerisë dhe turizmit për të marrë pjesë në “Expo 2020 Dubai”, të cilët janë përzgjedhur përmes kritereve të shpalljes publike nga Ministria  e Industrisë, Ndermarrësisë dhe Tregtisë.