Lajme

Vizita zyrtare e Ministres Hajdari në Turqi, takimi bilateral me homologun turk Mehmet Muş

Prishtinë, 28/12/2021

Delegacioni i përbërë me Zëvendëskryeministrin e Parë, z. Besnik Bislimi, Zëvendëskryeministren e Tretë, znj. Emilija Redžepi, Ministren e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, znj. Rozeta Hajdari, dhe Ministrin e Zhvillimit Rajonal, z. Fikrim Damka si dhe gjashtë biznese nga Kosova, gjate vizitës zyrtare ne Stamboll, Bursa dhe Ankara, takuan autoritete qeveritare dhe komunitetet e biznesit turk.

Gjatë kësaj vizite u realizuan takime me Bordin për Marrëdhëniet me Ekonominë Ndërkombëtare (DEIK), me Odën Tregtare të Stambollit (ITO), me Odën Industriale dhe Tregtare në Bursa (BTSO) dhe me biznese të ndryshme nga Turqia, ku u theksuan mundësitë e rritjes së bashkëpunimit ekonomik dhe rritjes së eksporteve nga Kosova në Turqi, për në tregjet evropiane dhe më gjerë.

Ministrja Rozeta Hajdari, në kuadër të kësaj vizite realizoi një takim bilateral me homologun e saj, Ministrin e Tregtisë së Republikës së Turqisë, Mehmet Muş, me të cilin bisedoi për sfidat në zbatimin e Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë me Turqinë (në fuqi që nga shtatori i vitit 2019), duke theksuar sfidat e prodhuesve kosovarë për të depërtuar në tregun turk, e që rezultojnë me një deficit të lartë dhe në rritje i tregtisë me Turqinë. Homologu i saj, Ministri Mehmet Muş u pajtua në propozimin e Ministres Hajdari, për adresimin e sfidave të eksportuesve kosovarë përmes komiteteve profesionale nga të dy ministritë e linjës Kosovë –Turqi, për gjetjen e zgjidhjeve të duhura për eksportuesit kosovarë në tregun turk, duke mbuluar vetëm 1% të eksporteve totale, krahasuar me importin nga Turqia që mbulon 9% të importeve totale.

Gjatë qëndrimit në Ankara, Ministrja Hajdari gjithashtu kishte bashkëbisedim edhe me menaxhmentin e Odës Tregtare të Ankarasë, me të cilin i diskutoi potencialet e eksportuesve kosovar në rritje dhe te cilët pritet të përkrahen më shumë përmes zbatimit të mirëfilltë të Marrëveshjes se Lire Tregtare me Turqinë.