Lajme

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë ka shpallur listën e përfituesve të bizneseve nga Programi i Granteve të Përputhshme.

Prishtinë, 31/12/2021

Është publikuar lista e përfituesve nga thirrja për grante të përputhshme, nga Projekti i Konkurrueshmërisë dhe Gatishmërisë për Eksport (CERP), sipas nën komponentit 1.2 të CERP-it – që përfshin financimin për Programin e Granteve të Përputhshme (MGP).

Nga gjithsej 591 aplikime të pranuara nga Platforma Online për Grante, 177 aplikime janë refuzuar, gjatë procesit të vlerësimit të kritereve të përshtatshmërisë dhe atyre administrative, bazuar në Manualin për Grante, Udhëzuesin dhe Korrigjim nr 1. të publikuar nga Programi i Granteve të Përputhshme.

Në fazën finale për vlerësim nga ana e Panelit të Pavarur për Vlerësim të Granteve (një ekspert ndërkombëtar dhe dy vendorë) kanë qenë 414 aplikime.

Në bazë të 5 kritereve vlerësuese sipas Manualit të Granteve, në fund të procesit vlerësues, janë përzgjedhur 142 aplikime për financim sipas projekt propozimeve të tyre të dorëzuara për grante që mbulojnë pesë aktivitetet për financim.

Lista e publikuar e 142 bizneseve fituese me potencial eksporti, me shumën e vlerësuar për këto aplikime fituese, mbërrin totalin prej mbi 9.8 milionë Euro nga granti CERP. Përmes këtij granti, bizneset do të avancohen me makineri, me çertifikim me standarde ndërkombëtare dhe paisjet e konformitetit, si dhe me trajnim dhe digjitalizim.

Procesi i nënshkrimit të kontratave me përfituesit e granteve fillon menjëherë.

Ju urojmë fituesve suksese në arritjet drejt shtimit të kapaciteteve të tyre prodhuese e shërbyese dhe eksportit!

Për çdo vërejtje dhe ankesë, Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, është e hapur të dëgjojë dhe pranojë ankesat e bizneseve që kësaj here nuk arritën të jenë fitues të grantit CERP. Përgjegjësia, llogaridhënia, dhe transparenca, janë parimet kryesore të MINT për bashkëpunim me qytetarët dhe bizneset.