Lajme

Konferenca e fundvitit nga Ministrja Rozeta Hajdari

Prishtinë, 31/12/2021

Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, znj. Rozeta Hajdari, mbajti konferenën përmbyllëse të vitit 2021 në prani të mediave. Ministrja Hajdari prezantoi të arriturat e MINT dhe i falënderoi bashkëpunetorët për sukseset e arritura.

Përshëndetje të Nderuar Gazetarë,

Ju faleminderit që iu keni përgjigjur ftesës tonë, për t’iu informuar për të arriturat e planit tonë strategjik për vitin 2021. Sot jam bashkë me kolegët e mij nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, e në mungesë të tjerëve nga ministria, që sot janë në terren, dua që së pari ti falënderoj të gjithë, për bashkëpunimin dhe punën e arritur me sukses, gjerë më tani.

Plani i Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, për vitin 2021 përfshin 6 prioritete ose objektiva strategjike, që janë:

1. Përmirësimi i mjedisit të të bërit biznes

2. Zhvillimi i politikave industriale dhe tregtare

3. Zhvillmi i ndërmarrësisë, inovacionit dhe pronësisë industriale

4. Zhvillimi i qëndrueshëm nëpërmjet turizmit

5. Promovimi dhe përkrahja e investimeve,

6. Përmirësimi i infrastrukturës së cilësisë, duke përfshirë mbrojtjen e konsumatorit

Ju njoftoj se mandat im ka filluar së pari me rishikimin e të gjitha funksioneve në ministri, ku kemi pasur edhe bashkimin e portfoliove nga ish Ministria e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë. Si prioritete kryesore, janë marrë çështjet që janë në pritje për shumë vite, sidomos ato që kanë reflektuar negativisht në raportin e Marrëveshjes të Stabilizim-Asociimit dhe rrjedhimisht kanë sjellur shumë vështirësi në të bërit biznes, duke sjellur më shumë sfida e më pak progres në Kosovë.

Si prioritet i kemi dhënë pra, përshpejtimit të zbatimit të masave që rrjedhin nga Agjenda Evropiane dhe me kënaqësi ju njoftoj se kemi arritur të zbatojmë 75% të masave si obligime nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, të Planit të Agjendës Evropiane përfshirë këtu zbatimin e MSA-së.

Gjatë të njëjtit vit, kemi krijuar grupe punuese për hartimin e politikave të industrisë, ndërmarrësisë, inovaconit dhe investimeve, të cilat do të jenë edhe si udhërrëfyes për identifikimin e të gjitha potencialeve të industrisë kosovare, që do të jenë të mundshme të jenë pjesë e zingjirit të vlerës për furnizim në rajon, në Evropë dhe më gjërë.

Me analizat e mirëfillta bazuar me evidencë nga terreni, besojmë që së bashku me kolegët, do të identifikohen potencialet e rëndësishme dhe gjithashtu do të investohet më shumë, sepse këto industri, të cilat janë me aq pak kapacitet të vogël dhe me aq pak pjesëmarrje në BPV vendor, kanë potenciale të ndërmarrësisë, e mund të jenë edhe si furnizues të ardhshëm të zingjirit të vlerës në tregun rajonal dhe më gjërë.

Sa i përket realizimit të Planit të Agjendës Evropiane, ju njoftoj se kemi 11 ligje që i kemi miratuar në Qeveri, disa nga to, veçse janë aprovuar në Parlament.

1. Projektligji për Tregtinë me Produkte të Naftës dhe Karburante të Ripërtëritshme, i cili ka pritur më shumë se 10 vite për miratim.

2. Projektligji për Inspektimet, që ishte një reformë shumëvjeqare në pritje dhe që do të mundësojë rishikimin dhe konsolidimin e Inspektorateve në Republikën tonë.

3. Projektligji për Mbrojtjen e Konkurrencës

4. Projektligji për Tregtinë me Jashtë

5. Projektligji për Turizmin

6. Projektligji për Punimet nga Metalet e Çmuara

7. Projektligji për Topografitë e Gjysmëpërçuesve

8. Projekligji për Dizajnin Industrial

9. Projektligji për Patentat

10. Projektligji për Markat Tregtare

11. Projektligji për Sekretet Tregtare

Në procedurë të miratimit janë:

12. Projektligji për Nxitjen dhe Mbrojtjen e Investimeve

13. Projektligji për Zonat Ekonomike

14. Projektligji për Rezervat e Detyrueshme të Naftës dhe

15. Projektligji për Ndërmarrësinë dhe Inovacionin, që janë në shqyrtim të brendshëm.

Objektivi i Parë Strategjik - Përmirësimi i Të bërit Biznes:

Është miratuar Kodi për Qeverisjen Korporative dhe janë miratuar U.A. (QRK) për Regjistrimin e Zyrave së Përfaqësisë të Shoqërive të Huaja Tregtare, U.A. për Regjistrimin e Shoqërive Tregtare. Janë finalizuar Koncept Dokumenti për Regjistrin e Pronarëve Përfitues dhe Koncept Dokumenti për Shoqëritë Tregtare. Po ashtu edhe Agjencia e Regjistrimit të Bizneseve ka nënshkruar marrëveshje të tjera për bashkëpunim, për të ngritur më shumë funksionimin e saj.

Me qëllim të promovimit dhe të avancimit të ndërmarrësisë si dhe të përforcimit të dialogut publik, janë organizuar Ditët e Biznesit të Vogël 2021 dhe me këtë rast janë realizuar tri konferenca informuese (Prishtinë, Pejë dhe Gjakovë). Me qëllim te përkrahjes dhe fuqizimit të gruas në biznes, është realizuar panairi “Gratë në biznes”, në Prishtinë, ku kanë marrë pjesë 13 biznese dhe OJQ.

Është përmirësuar Mbikëqyrja e Tregut – rritja e inspektimeve është në rritje 54%, gjithsej nga 1690 inspektime të vitit të kaluar tani kemi 2602 inspektime në këtë vit si dhe adresimi i kërkesave të konsumatorit dhe adresimi i vështirësive të eksportuesve tanë.

Për më shumë, lidhur me proceset e Integrimeve Evropiane, është hapur mundësia për përfitim nga Programi i Tregut të Përbashkët (EU Single Market Program) me financim nga Bashkimi Evropian. Tani, kompanitë kosovare përfshirë edhe shoqatat e bizneseve mund të aplikojnë në thirrjet e hapura nga Programi i Tregut të Përbashkët, i cili do të mbështes sektorët e ndryshëm industrial, me një buxhet prej 4.2 miliardë euro për periudhën 2021-2027.

Objektivi i Dytë Strategjik – Zhvillimi i Politikave Industriale dhe Tregtare:

Është themeluar Grupi Punues së Strategjisë Industriale, dhe gjatë këtij viti, është finalizuar analiza e 5 sektorëve industrial.

Është organizuar pjesëmarrja e Kosovës në panairin ndërkombëtar “Expo 2020 Dubai” si ekspozitë ndërkombëtare më e rëndësishme, me pjesëmarrje të 192 shteteve dhe 25 milion vizitorë për 6 muaj, tetor 2021 – mars 2022. Përpos përgatitjeve në nivel kombëtar, të drejtuara nga MINT, rreth ri organizimit të pavijonit, sigurimit te fondeve për pjesëmarrjen dhe prezantimin e shtetit tonë, në shumë tema sektoriale të “Expo 2020 Dubai” ne si ministri, përmes thirrjes publike, kemi përzgjedhur përfaqësues nga industria, inovacioni, ndërmarrësia dhe turizmi, dhe kemi financuar pjesëmarrjen e tyre në “Expo 2020 Dubai” ditët e konferencave dhe forumeve globale biznesore, ne interes të vendit dhe industrisë sonë.

Në aspektin e tregtisë, është miratuar vendimi për anulimin e pjesshëm të Udhëzimit Administrativ (MTI) nr. 09/2020 për kontrollin dhe cilësinë e karburanteve të lëngëta të naftës, pasi që disa nene janë qartazi në kundërshtim me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi, andaj është dashur të revokohen.

Është miratuar edhe Udhëzimi Administrativ për përcaktimin e kushteve dhe kritereve për subjektet që merren me tregtimin e duhanit dhe produkteve të tij. Po ashtu, është miratuar edhe programi për eliminimin e barrierave tregtare sipas neneve 34-36 të Traktatit për Funksionimin e BE-së.

Është dërguar letra në CEFTA për largim të përfaqësimit të UNMIK-ut nga kjo marrëveshje dhe përfaqësim të plotë të Kosovës në këtë mekanizëm e cila nuk është miratuar nga Komiteti i Përbashkët, për mungesë të konsensusit. Ndërkaq, Kosova ka kundërshtuar miratimin e konkluzioneve ministrore dhe të tri propozim vendimeve, ku një ndër to vlen të përmendet njohja e operatorëve ekonomik si propozim nga Serbia.

Kam nxjerr edhe katër vendime për tregti: i) për masat mbrojtëse antidamping në vlerë prej 0.03 cent për importet e disa llojeve të koncentratit për shpezë dhe kafshë; ii) për masa mbrojtëse prej 0.03 cent për importin e bllokave standard 19x19x25 nga Serbia, iii) për vlerat kufizuese të vajrave motorike si dhe iv) për masat mbrojtëse në importe për produktet konditorike nga Serbia.

Për më shumë, sot kam nënshkruar vendimin për përcaktimin e formës dhe shenjës kombëtare të konformitetit, për produktet e ndërtimit, që përdoren ne Republikën e Kosovës, i cili vendim lejon që të vendosen në dispozicion të tregut në Republikën e Kosovës, vetëm kur produktet e ndërtimit të shteteve tjera, të jenë të shënjuara me shenjën e konformitetit të njohur në marrëveshjen ndërkombëtare, të cilën e ka ratifikuar Republika e Kosovës.

Me propozim nga MINT, është miratuar nga Qeveria edhe themelimi i Task Forcës për Mbrojtje të Tregut, që të kemi treg të mbrojtur nga importet e padrejta, eliminim të barrierave në eksport dhe më qellim rritjen e mëtejshme te eksportit, që rezulton me përmirësimin e bilancit tregtar, konkurrencë të ndershme, produkte cilësore dhe të sigurta si dhe mbrojtje të konsumatorit.

Sa i përket tregtisë së mallrave strategjike, gjatë vitit 2021 janë lëshuar 112 licenca, nga to 100 janë licenca individuale importi dhe 12 janë licenca individuale re eksporti. Është bërë pajisja e 35 kompanive me certifikata për regjistrim në regjistër dhe realizimi i 30 inspektimeve në teren. Janë identifikuar dhe klasifikuar 358 kërkesa për mallra strategjike. Sa i përket zhvillimeve legjislative, është miratuar U.A. për regjistrimin dhe licencimin e operatorëve për tregti me mallra strategjike. Poashtu është bërë përditësimi dhe miratimi i Listës së mallrave me përdorim të dyfishtë në Qeverinë e Kosovës si dhe është finalizuar dhe funksionalizuar databaza për mallra strategjike.

Në lidhje me themelimin e Pikës së Vetme të Kontaktit nën Direktivën e Shërbimeve 2006/123/EC, janë identifikuar sektorët të cilët do të digjitalizohen përmes portalit e-Kosova. Aktualisht është integruar në e-Kosova procesi i aplikimit për licencë për sektorin e auditorëve ligjor. Funksionalizimi i plotë i saj për përdorim nga publiku, varet nga aprovimi prej Bordit të Këshillit Kosovar për Raportim Financiar.

Objektivi i Tretë Strategjik - Zhvillimi i Ndërmarrësisë, Inovacionit dhe Pronësisë Industriale:

Përpos Projektligjit për Inovacion dhe Ndërmarrësi, që është duke u finalizuar, është themeluar edhe grupi punues i cili është duke punuar në hartimin e dokumentit për Politika për Inovacion dhe Ndërmarrësi.

Në kuadër të Iniciativës për Fuqizim Digjital gjatë këtij viti janë realizuar dy faza të përkrahjes se bizneseve, ku në njërën kanë përfituar 40 ndërmarrje, derisa në fazën tjetër janë përkrahur 11 ndërmarrje në procesin e transformimit digjital.

Është finalizuar draft rregullorja për mënyrën e funksionimit të Qendrës rajonale për Inovacion dhe Ndërmarrësi në Fakultetin e Inxhinierisë Mekanike në UP.

Sa i përket fushës së Pronësisë Industriale, është themeluar grupi punues i cili është duke punuar në hartimin e Programit për Pronësinë Industriale 2022-2025. Ky dokument strategjik do të fuqizojë sistemin e Pronësisë Industriale duke siguruar nivel efektiv të regjistrimit dhe mbrojtjes së të drejtave të Pronësisë Industriale.

Janë realizuar katër trajnime për ngritjen e kapaciteteve të Agjencisë së Pronësisë Industriale, si dhe me mbështetjen e projektit të BE-së, është organizuar trajnimi për Departamentin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit si dhe trajnimi i Departamentit te Krimeve Kibernetike, mbi teknikat e hetimit dhe krimit në fushën e pronësisë intelektuale dhe trajnimi në fushën e treguesit gjeografik për komisionin e ekspertëve për kontrollimin e produkteve bujqësore dhe artikujve ushqimorë.

Gjatë këtij viti kalendarik janë pranuar 1863 aplikime për marka tregtare, 16 aplikime për patenta dhe 30 aplikime për mbrojtjen e dizajnëve industriale, po ashtu janë pranuar dhe 4747 kërkesa të tjera nga palët. Agjencia për Pronësi Industriale ka shqyrtuar kërkesat dhe ka lëshuar 6733 dokumente për përfundimin e shqyrtimit të objekteve të pronësisë industriale.

Objektivi i Katërt Strategjik - Zhvillimi i Qëndrueshëm Nëpërmjet Turizmit:

Ndonëse ky sektor nuk ka pasur shumë vëmendje, është prioritet në vehte, në këtë vit dhe vitet në vijim, sipas programit qeverisës. Deri më tani kemi aprovuar dhe miratuar në Qeveri Ligjin për Turizmin dhe po ashtu është në finalizim Strategjia për Turizmin.

Ndërsa, sa i përket thirrjeve të granteve në ndërmarrësi dhe inovacion, kemi përfshirë edhe sektorin e turizmit, përpos kritereve për gjithë përfshirje, dedikuar për grupet e margjinalizuara (gra dhe të rinjë).

Ne do të krijojmë edhe zingjirin e vlerës së ofertës për turizmin, e për më shumë, do të krijojmë edhe Brendin e Turizmit për Kosovën. Jemi në bashkëpunim edhe me partnerët ndërkombëtar dhe presim më shumë progres në fushën e turizmit multidimensional, duke filluar nga kultura dhe trashëgimia kulturore, potencialet natyrore, gastronomia, artizanatet, sporti dhe të tjera potenciale tona të turizmit.

Objektivi i Pestë Strategjik - Promovimi dhe Përkrahja e Investimeve:

Kemi themeluar grupi punues për hartimin e politikave kombëtare për Investime.

Në kuadër të kujdesit pasues ( ‘after-care service’) janë kontaktuar 584 biznese të huaja dhe janë zhvilluar vizita tek 94 investitorë , të cilëve iu është ofruar përkrahja e nevojshme.

Sa i përket investimeve, në bazë të raportit të BQK-së, nga viti 2010 deri në vitin 2020 mesatarja e investimeve të huaja direkte për nëntëmujorët e parë të viteve është 215.64 milionë euro, ndërsa në nëntë (9) muajt e parë të vitit 2021 janë 388.9 milionë euro apo 80% ngritja krahasuar me mesataren e deritanishme. Po ashtu vlen të ceket se viti 2021 është për 52.9% me më shumë investime se viti 2020 apo 79.7% më i lartë se viti 2019.

Sa i përket exportit, në bazë të raportit të BQK-së, vlera e eksportit janar – gusht 2020 ka qënë 290.1 mil/euro ndërsa vlera e eksporti janar – gusht 2021 është 471.9 mil/euro që nëse krahasohet periudha e njëjtë kohore, atëherë del se kemi rritje për 62.7% të eksportit në vitin 2021.

Vlen të përmendet se SHBA dhe Shqipëria janë vendet e para ku Kosova eksporton.

Janë realizuar konferenca virtuale dhe forume biznesi në Gjermani, Austri, Japoni, EBA, për promovim të potencialeve konkurruese për investime në Kosovë, në të cilat kanë marrë pjesë biznese dhe përfaqësues nga Kosova dhe vendet e përmendura më lart. Pas krizës botërore COVID 19, shumë biznese nga bota shohin për t’i zvogëluar shpenzimet e tyre operacionale dhe të transportit, për të qenë më afër bregut (‘nearshoring’) dhe për të diversifikuar furnizimet e tyre. Kosova ka potenciale të mira konkurruese për investime, duke filluar nga fuqia punëtore dhe rinia, legjislacioni, lokacioni, infrastruktura rrugore dhe digjitale dhe sistemet tatimore.

Sa i përket Komisionit Ndërministror për Investime Strategjike, është rifunksionalizuar dhe është në proces të shqyrtimit të nëntë (9) projekteve strategjike, të cilat kane plotësuar aspektin teknik dhe tani pritet të bëhet vlerësimi dhe shqyrtimi profesional i këtyre projekteve.

Objektivi i Gjashtë Strategjik - Përmirësimi i Infrastrukturës së Cilësisë, përfshirë Mbrojtjen e Konsumatorit:

Është miratuar në Qeveri, Koncept Dokumenti për Sigurinë e Përgjithshme të Produkteve, Programi për Mbrojtjen e konsumatorit 2021-2025, Rregullorja teknike për pajisjet me gaz, Rregullorja për mjetet matëse ligjërisht të kontrolluara, U.A. për caktimin e tarifave dhe komisioneve për akreditim dhe shërbimeve tjera të ofruara nga DAK, Rregullorja për Pajisjet me Gaz, UA për vendosjen në treg të dyerve dhe dritareve, UA për vendosjen në treg të pllakave tarracë si dhe është nxjerre vendimi me titujt dhe referencat e 355 standardeve të harmonizuara për sigurinë e makinerive.

Platforma e Regjistrit të rregullave teknike është funksionalizuar dhe janë vendosë të dhënat në regjistër për: 1- draft rregullore teknike, 41- rregullore teknike si dhe 16 – trupa të emëruara për vlerësim të konformitetit.

Janë adresuar rreth 2000 ankesa në lidhje shkeljet e të drejtave të konsumatorëve në tregun vendor, shumë prej të cilave kishin të bëjnë me kualitetin dhe cilësinë e produkteve dhe shërbimeve. Vlen të përmendet edhe besimi në qeverisjen e re, ku janë pranuar 300% më shumë ankesa, të adresuara nga MINT.

Sa i përket çertifikimit dhe rritjes së kualitetit të ndërmarrjeve tona të vogla dhe të mesme që janë me potenciale të eksportit, është më rëndësi të përmendim grantet e rëndësishme përmes skemave të ndryshme që i kemi lansuar gjatë këtij viti.

Grantet e lansuara nga MINT:

Me qëllim të përmirësimit të konkurrueshmërisë së bizneseve tona në tregjet ndërkombëtare, në gusht të vitit 2021, MINT ka bërë shpalljen e tri skemave për mbështetje te bizneseve përmes granteve. Përfituesit janë zgjedhur gjatë vjeshtës 2021.

Gjithashtu, është publikuar lista e përfituesve edhe nga skema e katërt e granteve - thirrja për grante të përputhshme, nga Projekti i Konkurrueshmërisë dhe Gatishmërisë për Eksport (CERP), sipas nën komponentit 1.2 i CERP-it – që përfshin financimin për Programin e Granteve të Përputhshme (MGP).

Skema e parë, në fushën e inovacionit, me thirrje publike në sistemin elektronik ASHI, në vlerë prej 1.1 milion euro, për mbështetjen e bizneseve fillestare dhe projekteve inovative. Në dhjetor 2021, janë përzgjedhur 11 biznese përfituese në inovacion.

Skema e dytë, në fushën e ndërmarrësisë, me thirrje publike në sistemin elektronik ASHI, në vlerë prej 2 milion euro, për ndërmarrësi duke i mbështet bizneset fillestare, të vogla dhe të mesme, për avancim të makinerisë, ngritje të kapacitetit dhe rritje të punësimit. Janë përzgjedhur 6 biznese përfituese në ndërmarrësi.

Skema e tretë, me thirrje publike në ASHI, në vlerë prej 500,000 euro për makineri për prodhuesit dhe përpunuesit vendor me potencial eksporti dhe krijim të vendeve të punës. Janë përzgjedhur 32 biznese mikro dhe të vogla, për blerjen e makinerive prodhuese, më qëllim të ngritjes së kapaciteteve prodhuese dhe rritjes së punësimit.

Skema e katërt, CERP – përmes kredisë së butë në vlerë totale prej 9.8 milion Euro, nga Banka Botërore, janë përzgjedhur si përfitues 142 biznese të vogla dhe të mesme me potencial eksporti, të cilat do të avancohen me makineri, certifikim me standarde ndërkombëtare dhe paisjet e konformitetit, trajnim dhe digjitalizim.

Uroj që këto biznese të kenë sukses dhe të jenë furnizues të ardhshëm të tregut në Evropë dhe më gjerë.

Për fund, Ju falënderoj për bashkëpunimin dhe ju uroj Vitin e Ri!

Ju faleminderit!