Lajme

Vizita e delegacionit të përbërë prej 50-të bizneseve nga Asociacioni i Ndërmarrësve të Rinj të Republikës Federale së Gjermanisë

Prishtinë, 05/05/2022

Nën organizimin e Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, me 30 prill 2022, u mbajt takimi me delegacionin e përbërë prej 50-të bizneseve nga Asociacioni i Ndërmarrësve të Rinj të Republikës Federale së Gjermanisë, në Parkun e Inovacionit dhe Trajnimit në Prizren (ITP).

Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, ju uroi mirëseardhje dhe i njoftoi nga afër ndërmarrësit gjermanë për kushtet që ofron Kosova për investime të jashtme si dhe bashkëpunimin e mirë dhe partneritetin e shëndoshë në mes Republikës së Kosovës dhe Republikës Federale të Gjermanisë.

Ministrja Hajdari theksoi se Qeveria Kurti po punon në rregullimin e politikave dhe legjislacionin për inovacionin dhe se synon të krijojë kushtet për më shumë hapësirë per ndërmarrësit e rinj me koncept biznesi inovativ, gjersa kreativiteti vjen nga poshtë-lartë dhe se kreativiteti e inovacioni ndihmojnë në zhvillimin e mënyrave të reja për të përmirësuar një produkt ose shërbim ekzistues për të optimizuar biznesin.

Ministrja Hajdari shtoi se inovacioni është katalizator i transformimit dhe se Republika e Kosovës ka nevojë për fuqizimin e ekosistemit inovativ dhe transformit të mënyrës së prodhimit, përpunimit dhe shitjes së produkteve dhe shërbimeve, duke u bazuar në modernizimin industrial, teknologjik dhe ekonomik.

Ndërsa znj. Sarna Röser, presidente e Asociacionit te Ndërmarrësve të Rinj, u shpreh se sipërmarrësit e rinj kanë takuar një vend tepër dinamik dhe të ri, ku mentaliteti kreativ start-up njihet kudo. Duke falënderuar bizneset kosovare për njohuritë mbi punën e tyre të përditshme, ajo shtoi se Kosova ofron mundësi dhe potenciale tërheqëse për kompanitë gjermane dhe e përfundoi fjalimin e saj duke thënë se janë të ngazëllyer për të ardhmen.

Në përmbyllje të takimit, u zhvilluan takime ndërmjet bizneseve kosovare dhe atyre gjermane, të cilat patën rastin që të diskutojnë lidhur me mundësitë e bashkëpunimit.

Pjesëmarrësit, pas takimit realizuan vizitë në kompaninë “Stone Castle”.