Lajme

Ministrja Hajdari priti në takim delegacionin nga Shqipëria

Prishtinë, 16/05/2022

Gjatë ditëve të fundit të panaireve të turizmit në Prishtinë, Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari ka pritur në takim edhe delegacionin nga Shqipëria, Bashkia e Sarandës, të udhëhequr nga Kryetari i Bashkisë së Sarandës, Adrian Gurma me ndërmarrës të suksesshëm nga rajoni i Sarandës dhe të shoqëruar nga Ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Republikën e Kosovës, Qemajl Minxhozi

Fillimisht, Ministrja Hajdari ju uroi mirëseardhje dhe shprehi gatishmërinë në bashkëpunimin më të afërt mes dy vendeve tona, në qëllim të rritjes së marrëdhënieve tregtare dhe zhvillimit të industrisë, përfshirë turizmin. Ajo i njoftoi me të arriturat, sfidat dhe prioritetet e ministrisë, si dhe me avantazhet që ofron Republika e Kosovës për të bërit biznes dhe rritjes së shkëmbimeve në mes dy vendeve.

Ministrja Hajdari tha se bashkëpunimi bilateral Kosovë-Shqipëri, përfshirë krijimin e infrastrukturës së përbashkët për sektorë të ndryshëm industrial dhe rrjetëzimi i bizneseve, mundësojnë njohjen më të afërt dhe identifkimin e mundësivë për bashëpunim për zhvillim ekonomik të qëndrueshëm të të dy vendeve.

Në përfundim të këtij takimi, palët shkëmbyen ide dhe projekte me qëllim të konkretizimit të bashkëpunimit reciprok, me theks të veçantë për turizmin.