Lajme

Përmbyllet programi ACCES, zëvendësministri Mjeku: Digjitalizimi për Qeverinë e Kosovës është shumë i rëndësishëm

Prishtinë, 16/05/2022

Në emër të Ministres së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, Zëvendësministri i MINT, Getoar Mjeku, ka marrë pjesë në përmbylljen e programit ACCES: “Qasja në Treg dhe Shërbimet e Digjitalizimit për Bizneset Kosovare”, ku gjatë katër viteve ka mbështetur 62 biznese në zhvillimin dhe transformimin digjital në sektorin privat dhe publik në Kosovë.

Mjeku tha se digjitalizimi për Qeverinë e Kosovës është shumë i rëndësishëm, por sipas tij, kjo është punë ekipore e të gjitha ministrive dhe sektorëve.

“Ne kemi tregim të suksesit, iniciativa për fuqizim digjital - si një mekanizëm i financuar nga KIESA dhe përkrahur nga bashkëpunimi austriak për zhvillim përmes programit ACCESS, KIESA përmes dy fazave ka mbështetur 62 biznese vendore në fushën e digjitalizimit dhe sado i vogël ose i madh të jetë ky numër është i rëndësishëm, sepse puna me bizneset ka elemente të ndikimi, “sheh rrushi-rrushin dhe piqet” - e kemi një shprehje në shqip. D.m.th se si një shembull i mirë, i cili në bashkëpunim me KIESA-në, do të vazhdojë dhe do ta ketë qëndrueshmërinë dhe do t’i japë frytet edhe përtej asaj që është planifikuar kur ka filluar projekti”, theksoi zëvendësministri Mjeku.

Ai bëri të ditur se digjitalizimi bën pjesë te administrata publike, ku synimi është digjitalizimi i punës në komunat, që është duke u punuar për lehtësimin e shërbimeve për qytetarët dhe në qeverinë qendrore që ndihmon qeverinë lokale. “Po ashtu digjitalizimi bënë pjesë në përkrahjen që ne i japim biznesit. Gjithashtu turizmi, ku synojmë digjitalizimin e destinacioneve turistike, bën pjesë te infrastruktura e cilësisë, që është një parakusht për e zhvillimin e industrisë vendore. Edhe procesin e prodhimit, të cilin do ta përkrahim dhe që po e përkrahim si qeveri”.

Zëvendësministri tregoi edhe planet legjislative që kanë për qëllim të prekin digjitalizimin. “Në agjendën tonë legjislative kemi projektligje të rëndësishme, që edhe atëherë kur nuk e prekin drejtpërdrejt digjitalizimin, por hartohen në atë frymë që digjitalizimin ta kenë si objektiv dhe si synim për me siguru zhvillimin e qëndrueshëm”, theksoi zëvendësministri Mjeku.

Sipas zëvendësministrit mjeku, Kosova duhet të pozicionohet mirë si çdo vend tjetër evropian: “Sepse në fund të fundit kemi një detyrim që rrjedh nga Marrëveshja e Stabilizim Asocimit kapitulli 10 dhe kemi një zotim për me çu përpara agjendën digjitale deri në vitin 2030”, potencoi ai.

Po ashtu, zëvendësministri Mjeku ngriti nevojën që sistemi i edukimit dhe ai arsimor t’i përshtaten nevojave të tregut. “Natyrisht duhet të orientohemi nga edukimi dhe arsimi, ta përshtatim sistemin arsimor me nevojat e tregut në përgjithësi. Po punojmë për infrastrukturën ligjore me ç’rast duhet ta falënderojmë projektin ACCESS për gjithë përkrahjen që ka dhënë në hartimin e ligjeve kyçe. Pra është shumë shpresëdhënëse me pa që Kosovën që ka arritur objektivin 100 për qind”, tha Mjeku.

Programi ACCESS – “Qasja në Treg dhe Shërbimet e Digjitalizimit për Bizneset Kosovare”, gjatë katër viteve, ka përkrahur zhvillimin dhe transformimin digjital në sektorin privat dhe publik në Kosovë. Programi ACCESS është financuar nga Agjencia Austriake për Zhvillim (ADA), bashkë financuar nga Qeveria e Kosovës, ndërsa është implementuar nga organizata ECIKS.