Lajme

MINT vizitohet nga nxënësit në Ditën Ndërkombëtare të Fëmijëve

Prishtinë, 06/06/2022

Për nder të 1 Qershorit – Ditës Ndërkombëtare të Fëmijëve, Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, bashkë me kolegët nga kabineti dhe shërbyesit civil në ambientet e MINT mirëpriten nxënësit e klasës së 5-të të Shkollës Fillore “Pavarësia” dhe nxënësit e klasës së 6-të të Shkollës Fillore “Dardania”.

Në këtë kremtim të festës për Ditën e të Drejtave të Fëmijëve, Ministrja Hajdari bashkëbisedoi me nxënësit për rëndësinë që ka promovimi i të drejtave të fëmijëve, duke bërë prioritet edukimin dhe shkollimin e fëmijëve dhe duke përmirësuar mirëqenien dhe zhvillimin e tyre përmes politikave të ndryshme institucionale qeveritare.

Fëmijëve të ngazëllyer e kurreshtarë, Ministrja iu tha se, ata janë pasuria më e madhe që ka Republika e Kosovës dhe se do të punojnë me përkushtim që fëmijët të marrin kujdesin, mbrojtjen, udhëzimin dhe inkurajimin që u nevojitet për t'u rritur dhe përparuar.

Në këtë ambient miqësor, Ministrja Hajdari iu përgjigj pyetjeve të llojllojshme të nxënësve dhe i inkurajoi që të edukohen për të ardhmen e ndritur dhe t’i ndjekin ëndrrat e tyre.

Në fund, nxënësit vizituan dhe mësuan nga afër për funksionimin e laboratorëve të ndryshëm që shërbejnë për matje të parametrave shkencore të Agjencisë së Metrologjisë së Kosovës (AMK) të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë.

Të drejtat e fëmijëve për jetë, shëndet, arsim dhe vetë-shprehje, ndër të tjera, përshkruhen nga Konventa për të Drejtat e Fëmijëve, ku të gjithë fëmijëve iu garantohet liria, mosdiskriminimi dhe barazia.