Lajme

Ministrja Hajdari priti në takim Ambasadoren e Izraelit Tamar Ziv

Prishtinë, 07/06/2022

Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, bashkë me Zëvendësministrin Getoar Mjeku, pritën në takim Ambasadoren e Izraelit në Kosovë, Tamar Ziv dhe Ambasadoren e Kosovës në Izrael, Ines Demiri.

Ministrja Hajdari i uroi mirëseardhje Ambasadores Tamar Ziv dhe e falënderoi për njohjen e Republikës së Kosovës nga Izraeli. Ajo e informoi për të arriturat dhe prioritetet e ministrisë, konkretisht për zhvillimin e politikave të industrisë, inovacionit dhe ndërmarrësisë, promovimin e investimeve dhe të eksportit, përmirësimin e bilancit tregtar të vendit, sfidat që ka sektori privat dhe nevoja për përkrahje të bizneseve fillestare, të vogla dhe të mesme, reformat ne legjislacion per përmirësimin e të bërit biznes dhe rritjen e konkurrueshmërisë si dhe mbrojtjen e investimeve, me qëllim të shfrytëzimit sa më efektiv të potencialeve konkurruese për investime “nearshoring” në vendin tonë.

Ambasadorja Tamar Ziv shprehi gatishmërinë e intensifikimit të bashkëpunimit politik, ekonomik dhe kulturor në mes të Shtetit të Izraelit dhe Republikës së Kosovës.

Ministrja Hajdari dhe Ambasadorja Ziv çmuan marrëdhëniet e mira në mes dy shteteve dhe konfirmuan gatishmërinë për të thelluar dhe zgjeruar bashkëpunimin ekonomik përmes themelimit të komitetit të përbashkët ekonomik, me bashkëkryesim dhe bashkëpunim të mirë bilateral me shkëmbim përvojash në mes Republikës së Kosovës dhe Shtetit të Izraelit në sektorë të ndryshëm ekonomik.