Lajme

Ministrja Rozeta Hajdari mori pjesë në Konferencën “Institucionet e forta përmbushin mandatin e tyre” CEF

Prishtinë, 17/06/2022

Në panelin e parë të Forumit Center of Excellence in Finance (CEF), i cili u fokusua në Reformat Strukturore si Mandat i Rëndësishëm i Institucioneve Publike, u diskutua rëndësia e menaxhimit sistematik të njohurive që ndikojnë drejtpërdrejt në kapacitetin e institucioneve për të përmbushur mandatet e tyre.

Pjesëmarrës ishin Përfaqësues të Nivelit të Lartë nga organizatat ndërkombëtare së bashku me ministrat e financave, ministrat e linjës, guvernatorët e bankave qendrore të Evropës Juglindore (SEE). Ata diskutuan rëndësinë e investimeve të qëndrueshme në kapitalin njerëzor për të krijuar avantazhe konkurruese në institucionet publike në rajon.

Diskutimet u zhvilluan në kuadër të zbatimit të reformave strukturore me fokus të veçantë në Programet e Reformës Ekonomike të vendeve kandidate në BE dhe kandidatëve potencialë.

Reformat strukturore janë në thelb masa që ndryshojnë strukturën e një ekonomie, kuadrin institucional dhe rregullator në të cilin operojnë bizneset dhe njerëzit. Ato janë krijuar për të siguruar që ekonomia të jetë e përshtatshme dhe të jetë në gjendje të realizojë potencialin e saj të rritjes. Pra, duke trajtuar pengesat në mënyrë efikase dhe të drejtë, ato duhet të ndihmojnë në rritjen e produktivitetit, investimeve dhe punësimit.

Duke marrë parasysh strukturën aktuale ekonomike të Kosovës, Ministrja Hajdari njoftoi se Qeveria e Republikës së Kosovës ka orientuar reformat strukturore që synojnë një ekonomi tregu funksionale dhe rritjen e konkurrencës, të cilat reflektohen edhe si shtyllat kryesore ne Programin e Qeverisë 2021- 2025.

Ne këtë synim Ministrja Hajdari tha Programi për Reformën në Ekonomi përfshin 20 masa për reformën strukturore, ku 8 prej tyre do të zbatohen nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë e Republikës së Kosovës. Ajo shtjelloj ndërhyrjet që po bën Qeveria e Republikës së Kosovës në lidhje me reformat strukturore, për: a) përmirësimin e mjedisit të të bërit biznes dhe reduktimin e ekonomisë joformale; b) përmirësimin e mjedisit për hulumtime, inovacion dhe ndërmarrësi; c) transformimin dixhital; d) tranzicionin e gjelbër; e) zhvillimin e bujqësisë, industrisë dhe shërbimeve; f) reformat për integrim ekonomik; g) reformat në rrjetin e transportit; h) reformat në edukim dhe shkathtësi dhe për i) mbrojtje dhe përfshirje sociale.

Ministrja Hajdari përfundoi se me reformat e ndërmarra legjislative në harmoni me legjislacionin dhe direktivat e BE-së dhe rritjen ekonomike me përparësitë konkurruese për investime, është rritur besimi për sundimin e rendit dhe ligjit, rritjes së demokracisë dhe rritjes ekonomike, me më shumë interesim për investime në Republikën e Kosovës.