Lajme

Kosova dhe Shqipëria me marrëveshje për platformë të përbashkët digjitale për promovim të turizmit

Prishtinë, 20/06/2022

Zëvendësministri i Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT) së Republikës të Kosovës, Getoar Mjeku, ka nënshkruar marrëveshje për “Platformë të përbashkët digjitale për promovim të turizmit të të dy shteteve”, me Ministren e Turizmit dhe Mjedisit (MTM) të Republikës së Shqipërisë, Mirela Kumbaro.

Në emër të MINT, marrëveshjen e ka nënshkruar zëvendësministri Mjeku, pasi që Ministrja Rozeta Hajdari po merrë pjesë në në takimin ministror të EFTA-s, të organizuar në Borgarnes të Islandës, në të cilin ajo paraqiti nisjen e Negociatave për Marrëveshjen e Tregtisë së Lirë, ndërmjet Republikës së Kosovës dhe shteteve të EFTA-s.

Kjo marrëveshje në mes të dy ministrive nga të dyja vendet është në kuadër të objektivave në sferën e bashkëpunimit ndërkombëtar në fushën e Turizmit për të krijuar një platformë të përbashkët digjitale të informacionit dhe promovimit turistik.

Lidhja e kësaj marrëveshje është me rëndësi për Republikën e Kosovës, e cila synon zhvillimin e mëtejshëm të bashkëpunimit në mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë për të thelluar dhe forcuar marrëdhëniet e bazuara në interesa të përbashkëta në fushat e turizmit.

Zëvendësministri Mjeku tha se janë duke punuar në përsosjen e ofertës turistike për t’i arritur potencialet turistike, që kanë Kosova e Shqipëria.

“Por tashmë kemi miratuar një ligj të ri për turizmin, që i kushton vëmendje infrastrukturës, por edhe po punojmë që ta përsosim ofertën turistike në saje të natyrës dhe trashëgimisë sonë. Me gjithë përparimin, të dy vendet tona mund ta arrijnë potencialin në fushën e turizmit, ashtu si në rrafshet tjera vetëm duke bashkëpunuar ngushtë dhe duke plotësuar njëri-tjetrin, - si pjesë e një kombi.

Platforma do t’i prezantojë të dy shtetet tona si një cak të përbashkët me informatat e duhura për atraksione turistike. Së pari do t’iu shërbejë qytetarëve të dy vendeve dhe do t’i informojë vizitorët e huaj, që çdo herë e më shpesh po zgjedhin t’i kalojnë pushimet e tyre në hapësirën shqiptare. Pra bashkë zgjerojmë dhe forcojmë hapësirën tonë duke e shfrytëzuar”, tha Mjeku.

Ndërsa ministrja e Turizmit dhe Mjedisit të Shqipërisë, Mirela Kumbaro, tha se Shqipëria nuk ka veç detin, por edhe natyrën dhe malet dhe thellësinë e territorit me pasuri të jashtëzakonshme kulturore dhe natyrore.

“Kemi të përbashkëta bjeshkët, por dua edhe një herë ta përsërisë që kemi të përbashkëta edhe të dy detet, Adriatikun dhe Jonin. Në këtë kuptim, na duhet që ta konsiderojmë hartën turistike si një hartë të përbashkët ku kufiri në fakt nuk ka kuptim”, tha Kumbaro.

Të dy ministritë, e të dyja vendeve, do të përkujdesen që kjo platformë të zbatohet në faqet zyrtare promovuese të tyre, në mënyrë që t’i informojë turistët dhe t’i orientojë drejt destinacioneve dhe atraksioneve natyrore, vendet turistike dhe kulturore, ofruesve të shërbimeve turistike, produkteve ndërkufitare, etj., duke mbështetur zhvillimin dhe promovimin e ofertës së përbashkët turistike të të dy vendeve.