Lajme

Ministrja Rozeta Hajdari mori pjesë në takimin ministror të EFTA-s

Prishtinë, 20/06/2022

Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari sot mori pjesë në takimin Ministror të EFTA-s, të organizuar në Borgarnes të Islandës. Ajo paraqiti nisjen e Negociatave për Marrëveshjen e Tregtisë së Lirë, ndërmjet Republikës së Kosovës dhe shteteve të EFTA-s.

Në këtë ngjarje të rëndësishme të pranishëm ishin znj. Thórdís Kolbrún Reykfjörd GYLFADÓTTIR- Ministre e Punëve të Jashtme (Islandë), znj. Dominique HASLER-Ministre e Punëve të Jashtme, Arsimit dhe Sportit (Lihtenshtajn), znj. Marie-Gabrielle INEICHEN-FLEISCH - Sekretare e Shtetit për Çështjet Ekonomike (Zvicër), znj. Janicke ANDREASSEN - Sekretare e Shtetit e Ministrisë së Tregtisë, Industrisë dhe Peshkimit (Norvegji) dhe z. Henri GÉTAZ - Sekretar i Përgjithshëm i EFTA (Zvicër).

Ministrja Hajdari theksoi se Qeveria e Republikës së Kosovës, nën udhëheqjen e Kryeministrit Albin Kurti, është e përkushtuar që të punojë në bazë të parimeve të qeverisjes së mirë, për krijimin e një mjedisi afarist që do ta bëjë Republikën e Kosovës një destinacion më konkurrues në Evropën juglindore.

Në këtë kontekst, Ministrja Hajdari paraqiti treguesit e performancës së Republikës të Kosovës, ku është shënuar si asnjëherë më parë rritje ekonomike, rritje të treguesve të demokracisë, lirisë së të shprehurit dhe përpjekjet për të forcuar shtetin e së drejtës, me qëllimin për të sigurar një të ardhme më të ndritur për shoqërinë tonë, rininë tonë.

“Finalizimi sa më i shpejtë i kësaj marrëveshjeje, është i një rëndësie të madhe për Kosovën, pasi shkëmbimet tregtare me vendet e EFTA-s, veçanërisht me Zvicrën dhe Norvegjinë, janë vazhdimisht në rritje dhe kanë një bilanc të dukshëm pozitiv tregtar për mallra dhe shërbime” shtoi Ministrja Hajdari.

Ministrja Hajdari potencoi se përveç rëndësisë ekonomike, nënshkrimi i kësaj Marrëveshjeje është jetike për Kosovën edhe në aspektin politik sa i përket partnerëve të tjerë tregtarë dhe investitorëve të huaj. Ajo tha se kjo marrëveshje me vendet e EFTA-s mundëson hapjen e ekonomisë kosovare drejt mundësive të reja zhvillimore.

“Mezi pres partneritetin tonë të ardhshëm, veçanërisht për faktin se ne kemi një diasporë shumë të fortë në shumicën e vendeve të EFTA-s, gjërsa 70 % e popullsisë është nën 35 vjeç dhe për këtë arsye puna dhe angazhimi ynë i qeverisë është që të sigurojë një përparim të mirë për të ardhmen e popullit tonë, rinisë sonë dhe për remitencat e diasporës sonë për t'i sjellë ato në investime konkrete në Republikën e Kosovës” përfundoi Ministrja Rozeta Hajdari.

Raundi i parë i negociatave pritet të nisë në fund të muajit gusht 2022. Marrëveshja e Tregtisë së Lirë mbulon fusha të ndryshme në të cilat palët do të kërkojnë bashkëpunim më të madh, si dhe çështje tregtare si tregtia e mallrave dhe shërbimeve, barrierat teknike në tregti, masat sanitare dhe fitosanitare, lehtësimi i tregtisë, rregullat e origjinës, duke përfshirë bashkëpunimin doganor dhe të drejtat e pronësisë intelektuale.

Vendet e EFTA-s dhe Kosova gjithashtu, do të kërkojnë të zgjerojnë bashkëpunimin në fusha me rëndësi të veçantë për të zgjeruar marrëdhëniet e tyre tregtare, siç janë flukset e investimeve, duke përfshirë transferimin e teknologjisë, politikën dhe ligjin e konkurrencës, prokurimin publik, tregtinë dhe zhvillimin e qëndrueshëm, si dhe çështje dhe politika të tjera të lidhura me tregtinë, duke përfshirë tregtinë e shërbimeve.