Lajme

Lansohet projekti “NaturKosovo: kryeqendra natyrore dhe kulturore në Kosovë dhe zhvillimi i qëndrueshëm turistik i Via Dinarica

Prishtinë, 26/06/2022

Në këtë ngjarje të rëndësishme për turizmin e Republikës së Kosovës morën pjesë Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, Zëvendësministrja e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Linda Çavdarbasha, Ambasadori i Italisë në Kosovë, Antonello De Riu, Përfaqësuesja e Agjencisë Italiane për Bashkëpunim Zhvillimor në Ballkanin Perëndimor, Stefania Vizzaccaro si dhe kryetarët e komunave dhe akterë të tjerë të turizmit të përfshirë në këtë projekt.

Fillimisht, Ministrja Hajdari njoftoi se programi i qeverisë me fokus kryesor Punë&Drejtësi e trajton sektorin e turizmit me prioritet dhe si një kontribues të madh në zhvillimin ekonomik dhe krijimin e vendeve të punës, nëpërmjet zhvillimit të turizmit kulturor dhe turizmit natyror. Ajo tha se nga masat e propozuara nga MINT në Programin e Reformës Ekonomike 2022-2024, janë përfshirë edhe masat për ngritjen e konkurueshmërisë në sektorin e turizmit dhe hotelerisë.

Në këtë kontekst, Ministrja Hajdari theksoi se projekti “Natur Kosova: Trashëgimia natyrore dhe kulturore në Kosovë dhe zhvillimi i qëndrueshëm turistik i Via Dinarica” kontribuon drejtpërdrejt në zhvillimin e turizmit dhe në të njëjtën kohë është në përputhje me objektivat strategjike te Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë.

“Me burimet tona kulturore dhe natyrore dhe bashkëpunimin e mirë me vendet fqinjë, ne mund të krijojmë oferta të përbashkëta nga ky kufi dhe më gjerë përtej kufirit, që të zhvillojmë rajonin tonë me 6 ekonomi të vendeve të Ballkanit Perëndimor, ku secili vend do të integrohet më shpejtë në Bashkimin Evropian dhe do të krijojë një të ardhme më të ndritshme për qytetarët dhe brezat e rinjë. Krijimi i shtigjeve ndërkufitare me vendet e rajonit tregon se Kosovës po i shtohet fluksi i turistëve. Shtegu Via Dinarica por edhe shtigje të tjera si Majat e Ballkanit janë histori suksesi se si funksionon turizmi aktiv dhe aventuror dhe zhvillimi i shumë aktiviteteve të tjera në natyrë dhe trashëgimi kulturore” shtoi Ministrja Hajdari.

Ministrja Hajdari përmendi edhe punët e mira që po realizohen në këtë mandat qeverisës në dobi të turizmit, siç janë: Ligji i ri i turizmit, strategjia kombëtare e turizmit, brendi i turizmit dhe marrëveshja për krijimin e një platforme të përbashkët digjitale të informacionit dhe promovimit turistik në mes Kosovës dhe Shqipërisë, që do të mundësojnë që Kosova të ofron produkte të shumta sidomos të turizmit të aventurës, kulturor, agroturizmit dhe ekoturizmit për vizitorët vendorë dhe ndërkombëtarë si destinacion atraktiv turistik.

Objektiv i projektit “Natur Kosova: kryeqendra natyrore dhe kulturore në Kosovë dhe zhvillimi i qëndrueshëm turistik i Via Dinarica” është të nxisë zhvillimin e qëndrueshëm të turizmit, përmes mbrojtjes dhe zgjerimit të shtrirjes kosovare të Via Dinaricës, në zonën e komunave të Pejës, Deçanit dhe Junikut.