Lajme

Ministrja Hajdari priti në takim Shefen e Zyrës Ndërlidhëse të Republikës së Greqisë Heleni Vakali

Prishtinë, 18/07/2022

Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, priti në takim Shefen e Zyrës Ndërlidhëse të Republikës së Greqisë në Republikën e Kosovës, Ambasadoren Heleni Vakali dhe Konsullin për Çështjet Ekonomike dhe Tregtare, Michail Vrettakis.

Fillimisht, Ministrja Hajdari i uroi suksese Ambasadores Vakali në mandatin e saj diplomatik për Kosovën dhe e njoftoi për progresin e arritur të Republikës së Kosovës, me treguesit në rritje të zhvillimit ekonomik, demokracisë dhe qeverisjes së mirë, që japin mesazh për të zgjeruar bashkëpunimin ekonomik me Republikën e Kosovës.

Ajo e njoftoi Ambasadoren Vakali për proceset nën udhëheqjen e ministrisë, duke nënvizuar progresin në fushat kryesore të industrisë, inovacionit, ndërmarrësisë, tregtisë dhe turizmit.

Në këtë takim, Ministrja Hajdari dhe Ambasadorja Vakali, diskutuan për fushat e bashkëpunimit në industrinë përpunuese dhe shërbyese, zhvillimin e parqeve industriale dhe teknologjike, si dhe përvojat e praktikave më të mira për promovimin e investimeve dhe eksportit.

Njëherit, u pajtuan për organizimin dhe datën e Forumit Ekonomik Kosovë - Greqi për në tetor 2022. Në këtë Forum Ekonomik, bizneset vendore do të kenë mundësinë për njohjen dhe lidhjen e bashkëpunimeve me bizneset greke, gjersa Ministrja Hajdari do të ketë takime bilaterale me homologët e saj, për të diskutuar temat për forcimin e mëtutjeshëm të marrëdhënieve ekonomike në mes Kosovës dhe Greqisë, me qëllim të rritjes së shkëmbimeve tregtare dhe rritjes së investimeve.