Lajme

Ministrja Hajdari u takua me përfaqësuesit e bizneseve të sektorit të betonit dhe ndërtimit

Prishtinë, 13/08/2022

Në koordinim me Odën e Afarizmit të Kosovës, dje u mbajt takimi i përbashkët me përfaqësuesit e bizneseve të sektorit të betonit dhe ndërtimit. Në këtë takim morën pjesë Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, Kryetarja e Autoritetit Kosovar të Konkurrencës, Neime Binaku-Isufi, si dhe përfaqësues të tjerë nga institucionet qendrore dhe lokale.

Ministrja Hajdari u shpreh se Qeveria Kurti është e përkushtuar që nëpërmjet politikave dhe masave të ndryshme tu ofrojë mbështetje sektorit privat në Republikën e Kosovës. Ajo theksoi se përmes hartimit të politikave dhe harmonizimit të ligjeve, konkretisht me anë të ligjit për mbrojten e konkurrencës, bizneset do të ushtrojnë veprimtaritë e tyrë në konkurrencë të drejtë dhe të barabartë.

Në këtë kontekst, Ministrja Hajdari potencoi se Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë në kordinim të ngushtë me Autoritetin Kosovar të Konkurrencës dhe institucionet tjera relevante, janë duke e trajtuar me prioritet evidencën e rritjes së çmimeve në treg dhe do të ndërmarrin veprime në ditët në vijim, me qëllim të mbrojtjes së konsumatorit dhe stabilizimit të çmimeve në tregun vendor.

Qëllimi i këtij takimi ishte diskutimi më i detajuar me bizneset e sektorit të ndërtimit për vështirësitë që po i hasin si rrjedhojë e ngritjes së vazhdueshme të çmimit të çimentos si dhe adresimi ndërinstitucional për ofrimin e alternativave më efektive dhe më të pranueshme për tejkalimin e vështirësive.

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë synon mbrojtjen e konsumatorëve dhe mbështetjen e bizneseve, konkretisht përmirësimin e mjedisit të të bërit biznes dhe zhvillimin e konkurrueshmërisë, duke mundësuar zhvillimin ekonomik dhe rritjen e të ardhurave kombëtare përmes zhvillimit të industrisë, ndërmarrësisë, inovacionit, tregtisë dhe turizmit.