Lajme

Punëtoria - Rritja industriale, produkte me vlerë të lartë të shtuar, zinxhirët kombëtarë të vlerës

Prishtinë, 15/09/2022

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë përmes Departamentit të Industrisë dhe me mbështetje nga Agjencia Gjermane për Bashkëpunim Ndërkombëtar GmbH (GIZ), në kuadër të vazhdimit të procesit për hartimin e Strategjisë për Zhvillimin e Industrisë dhe Mbështetjes së Bizneseve 2030, ka mbajtur punëtorinë me temën “Rritja industriale, produkte me vlerë të lartë të shtuar, zinxhirët kombëtarë të vlerës”.

Të pranishëm në këtë takim ishin Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, përfaqësuesi nga Agjencia Gjermane për Bashkëpunim Ndërkombëtar, Edmond Gashi, si dhe përfaqësues të tjerë nga  Oda Ekonomike e Kosovës, institucionet qeveritare, bizneset dhe nga shoqatat vendore.

Fillimisht, Ministrja Hajdari tha se Programi i Qeverisë së Republikës së Kosovës, ndër prioritetet kryesore ka zhvillimin ekonomik të vendit, ri-orientimin e ekonomisë drejt prodhimit dhe eksportit, drejt rritjes së punësimit të dinjitetshëm për të gjithë, si dhe drejt një zhvillimi të qëndrueshëm, që mbron ambientin edhe për gjeneratat e ardhshme.

Në këtë kontekst, Ministrja Hajdari u shpreh se synimi kryesor i Politikës Industriale është të mbështesë rritjen dhe zhvillimin e sektorit të prodhimit në Kosovë përmes veprimeve që synojnë të zgjerojnë outputin në prodhimin, krijimin e vendeve të punës, përmirësimin e konkurrencës në eksport, shfrytëzimin dhe nxitjen e qarkullimit ekonomik, dhe maksimizimin e përfitimeve vendore duke nxitur lidhjet që përfshijnë furnizuesit kosovarë dhe burimet e vendit, që do të përfshijë edhe sektorë të tjerë të ndërlidhur me industrinë e prodhimit, si TIK-u për modernizimin/digjitalizimin e industrive, edukimin për rritjen e aftësive të punëtorëve, etj.

“Ne synojmë transformimin e industrisë së vendit në një industri më të integruar globalisht që është në gjendje të prodhojë produkte me vlerë të lartë të shtuar dhe të ofrojë punësim të denjë, të cilën planifikojmë ta arrijmë  nëpërmjet thellimit të zinxhirëve të vlerës së brendshëm, rritjes dhe diversifikimit të prodhimeve të eksporteve, përmirësimit të kualifikimit të fuqisë punëtore, një digjitalizimi të përshpejtuar të prodhimit dhe teknologjisë së avancuar për prodhimin e gjelbër, si dhe një përdorim më të mirë të burimeve natyrore vendore dhe materialeve të ricikluara. E një rëndësie të veçantë është edhe ndërlidhja me Diasporën, si dhe tërheqja e investimeve në industrinë prodhuese”- theksoi Ministrja Hajdari.

Vizioni i MINT është përmirësimi i konkurrueshmërisë së ndërmarrjeve, që synojmë ta arrijmë nëpërmjet avancimit të politikave në sektorin e industrisë, investimeve, ndërmarrësisë dhe tregtisë dhe përmirësimit të shërbimeve në infrastrukturë të cilësisë, në atë mënyrë që ndërmarrjet tona të jenë konkurruese në rajon dhe më gjerë.

Politika e Industrisë - Strategjia për zhvillimin e Industrisë dhe mbështetje të biznesit 2030, është në linjë me Programin e Qeverisë, Objektivat e Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, si dhe buron nga Strategjia Kombëtare për Zhvillim (SKZH) 2030. Politika Industriale kontribuon në tri objektivat strategjike të SKZH-se: a) Ekonomi Digjitale; b) Cirkulare dhe konkurruese ndërkombëtarisht; c) Punësim i lartë, i denjë dhe gjithëpërfshirës dhe d) Mjedis i pastër dhe shfrytëzim më i mirë i burimeve natyrore.

Bashkëpunimi me komunitetin e bizneseve dhe analizat e sektorëve industrial do ta ndihmojnë zhvillimin e kësaj strategjie të bazuar në evidencë për sektorët me potencial të zhvillimit industrial, krijim të vendeve të punës dhe rritje të eksportit