Lajme

Zëvendësministri Arifaj mori pjesë në hapjen e garës Uplift Western Balkans Accelerator Program

Prishtinë, 16/09/2022

Zëvendësministri i Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Mentor Arifaj mori pjesë në hapjen e garës për Start up-et nga Kosova si pjesë e programit regjional Uplift Western Balkans Accelerator Program, të organizuar nga VentureUP në bashkëpunim me ICTSmedia nga Shqipëria dhe ICan nga Maqedonia e Veriut.

Në fjalën e tij, Zëvendësministri Arifaj u shpreh se këto aktivitete janë të mirëseardhura për forcimin e bashkëpunimit regjional për nxitjen e veprimtarive të përbashkëta inovative dhe se ndryshimet e modeleve të të bërit biznes, do të kenë ndikim të drejtpërdrejt në krijimin dhe rritjen graduale të Ndërmarrjeve Mikro, të Vogla dhe të Mesme.

“Duke marrë në konsideratë ndryshimet që janë duke ndodhur në proceset e zhvillimeve globale shoqërore dhe ekonomike, ku digjitalizimi i shërbimeve ka rezultuar të jetë indikator thelbësor në ngritjen e përformancës së bizneseve atëherë të rinjtë do të ishte mirë që të orientojnë interesimet e tyre nga teknologjia dhe inovacioni, për të qenë të suksesshëm së pari në profesionet, shkathtësitë dhe pastaj në bizneset te tyre” shtoi Zëvendësministri Arifaj.

Në fund, Zëvendësministri Arifaj potencoi se po punohet ngushtë me të gjithë partnerët e ekosistemit të inovacionit në hartimin e politikave të qarta, të cilat janë të bazuara në prioritetet e Qeverisë Kurti.

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë do të vazhdojë me lansimin e grant-skemave për përkrahjen e ideve dhe projekteve inovative, të bizneseve fillestare start-up dhe është e angazhuar për funksionalizimin e plotë të Qendrave të Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, siç janë laboratorët e Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike, Parkun e Inovacionit dhe Trajnimeve në Prizren, si dhe funksionalizimin e plotë të qendrave të tjera për inovacion dhe ndërmarrësi në të gjitha rajonet e Kosovës.