Lajme

Publikimi i Indeksit të politikave të Ndërmarrjeve të Vogla dhe të Mesme (NVM) 2022 ne Republikën e Kosovës

Prishtinë, 22/09/2022

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, përmes Agjencisë për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë (KIESA) në bashkëpunim me Organizatën për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (OECD) kanë organizuar lansimin publik të “Indeksit të Politikave të Ndërmarrjeve të Vogla dhe të Mesme (NVM) 2022: Ballkani Perëndimor dhe Turqia”, i cili studim është rezultat i bashkëpunimit të afërt gjatë viteve të fundit, në mes KIESA dhe OECD. Indeksi i Politikave të NVM-ve 2022 për Kosovën OECD u lansua gjatë ngjarjes së Samitit Digjital të Ballkanit Perëndimor, për të cilën ngjarje të rëndësishme në kuadër të Procesit të Berlinit, Republika e Kosovës është mikpritëse për vitin 2022.

Gjatë prezantimit të raportit “Indeksi të Politikave të Ndërmarrjeve të Vogla dhe të Mesme (NVM) 2022: Ballkani Perëndimor dhe Turqia’’ u  diskutuan gjetjet dhe rekomandimet e vlerësimit për Republikën e Kosovës dhe rekomandimet për përmirësime të mëtejshme, të bazuara nga praktikat e mira të lidhura me OECD dhe BE.  Në këtë diskutim morën pjesë Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari me kolegët nga MINT, Zëvendësdrejtori i Drejtorisë për Marrëdhënieve dhe Bashkëpunim Global (OECD), Karim Dahou, Shef i Njësisë për Kosovën nga Komisioni Evropian, Vassilis Maragos si dhe ekspertë  të tjerë vendor dhe ndërkombëtarë.

Ministrja Hajdari vlerësoi bashkëpunimin e afërt me OECD që kontribuon në adresimin për zvogëlimin e barrierave ekzistuese për NVM-të për të kërkuar më shumë partneritete dhe tregje të reja pasi që Evropa u krijua si një treg i vetëm, në mënyrë që NVM-të të rriten së bashku dhe se institucionet financiare të të gjitha llojeve duhet të krijojnë kushtet e nevojshme që tregu të ofrojë shërbime financiare të përballueshme dhe të përshtatshme për rritjen e bizneseve të vogla. Ajo përmendi hartimin e politikave dhe reformave, adresimin në mekanizma të ndryshëm dhe zbatimin e dokumente strategjike për t'i bërë ndërmarrjet tona të qëndrueshme dhe për të iu lehtësuar qasjen në tregjet ndërkombëtare.

“Bashkëpunimi me OECD ka përparësi të shumta. Përfituesit kryesorë janë industritë, ekonomia rajonale dhe institucionet e Kosovës, te cilat përmes procesit të shkëmbimit të njohurive dhe përvojave krijojnë një mjedis të favorshëm për futjen e ideve inovative, për zhvillim dhe rritje të produktivitetit, punësimit dhe të ardhurave ” tha Ministrja Hajdari.

 Ajo tutje shtoi se, së bashku mund të zvogëlojmë boshllëqet ekzistuese për SME-të për të kërkuar më shumë partneritete dhe tregje të reja ,pasi që Evropa u krijua si një treg i vetëm në mënyrë që SME-të të rriten së bashku.

“Duke qenë se mbështetemi shumë në ekspertizën e OECD-së, do të vazhdojmë të bashkëpunojmë për të inkurajuar sipërmarrjen, për një ekosistem të strukturuar, duke synuar një transformim më të shpejtë të industrisë në Kosovë, përmirësim të bashkëpunimit rajonal dhe integrim më të shpejt në BE” përfundoi Ministrja Hajdari.

Indeksi i Politikave të NVM-ve është një mjet krahasues i krijuar për të vlerësuar kuadrin e politikave të NVM-ve në ekonomitë në zhvillim dhe për të monitoruar progresin në zbatimin e politikave me kalimin e kohës. Indeksi është zhvilluar në vitin 2006 nga OECD në partneritet me Komisionin Evropian, Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) dhe Fondacionin Evropian të Trajnimit (ETF).

Indeksi i Politikave të Nvm-ve identifikon pikat e forta dhe të dobëta në hartimin dhe zbatimin e politikave, lejon krahasimin midis vendeve dhe mat konvergjencën drejt praktikave të mira dhe standardeve përkatëse të politikave. Ky indeks mbështet qeveritë në përcaktimin e objektivave për zhvillimin e politikave të NVM-ve dhe ndihmon në identifikimin e prioriteteve strategjike për përmirësimin e mjedisit të biznesit. Po ashtu i angazhon qeveritë në dialogun politik dhe shkëmbimin e praktikave të mira brenda rajonit dhe me anëtarët e OECD.