Lajme

Ministrja Rozeta Hajdari dekorohet me çmimin “Elena Gjika”

Prishtinë, 12/11/2022

Sot, u mbajt Kuvendi Kombëtar i Alpeve me temën “Tradita e Trashëgimia Kombëtare Shqiptare”, të oranizuar nga Gazeta e Alpeve dhe Komuna e Pejës, në të cilin morën pjesë personalitete të larta kombëtare shqiptare nga Kosova, Shqipëria, Lugina e Preshevës, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, dhe veprimtarë të shquar të çështjes kombëtare nga diaspora shqiptare.

Në këtë kuvend, e ftuar nderi ishte edhe Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, e cila u dekorua me mirënjohje “Elena Gjika”, për kontributin e saj të vazhdueshëm në shtetndërtimin dhe zhvillimin ekonomik e shoqëror të Republikës së Kosovës.

Në fjalen e saj përshëndetëse, Ministrja Hajdari u shpreh e nderuar që mori pjesë në këtë takim që bashkoi veprimtarët e shquar të çështjes kombëtare. Ajo tha se kjo mirënjohje “Elena Gjika” është përgjegësi dhe do të shërbejë si motivim për më shumë punë e shërbim për të ardhmen e ndritur për gjeneratat e reja të kombit tonë.

Ministrja Hajdari theksoi se turizmi është një sektor me potencial për zhvillimin ekonomik dhe punësim, i cili sektor sjell ne pah historinë, kulturën e pasur dhe qytetërimin e lashtë të popullit tonë. Ajo përmendi shumë thesare kombëtare që tregojnë kulturën tonë të pasur dhe të lashtë me gjuhën tonë, si një ndër gjuhët e para dhe më të vjetra në botë.

“Gjersa synojmë dixhitalizimin dhe transformimin teknologjik dhe industrial dhe të turizmit, që sjellin zhvillim dhe integrim të shpejtë për shoqërinë tonë, ne asnjëherë nuk do të harrojmë qytetërimin tonë të lashtë dhe vlerat kombëtare ndër shekuj. Prandaj, përmes politikës së turizmit me programet zbatuese, synojmë ti zhvillojmë dhe integrojmë sa më shumë pasuritë tona të turizmit malor dhe kulturor, si zingjir vlerash të turizmit, duke krijuar kështu oferta turistike të përbashkëta edhe me vendet e rajonit sidomos aty ku janë trevat tona shqiptare, me qëllim për zhvillim më të shpejtë ekonomik dhe integrim” shtoi Ministrja Hajdari.

Ministrja Hajdari përmendi të arriturat e qeverisjes aktuale në fushën e turizmit, kulturës dhe sportit. Ajo tha se me zbatimin e strategjisë për zhvillim e turizmit, ligjin e ri për turizmin, platformat e përbashkëta dixhitale të turizmit me Shqipërinë dhe vendet tjera dhe projektet e lansuara nga MINT, do të promovohet turizmi kulturor dhe natyror në vend dhe në rajon.

Në përfundim, organizatorët e Kuvendit Kombëtar të Alpeve shpërndanë mirënjohje për personalitetet shqiptare, që parreshtur kontribojnë në promovimin e gjuhës, kulturës, historisë sonë kombëtare.