Lajme

Ministrja Hajdari mori pjesë në ceremoninë e përmbylljes së aktiviteteve të projektit “Streamlining Curricular Development Processes and Establishment of the Task Force for Curricular Development”

Prishtinë, 14/11/2022

Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari mori pjesë në ceremoninë e përmbylljes së aktiviteteve të projektit “Streamlining Curricular Development Processes and Establishment of the Task Force for Curricular Development”, i financuar nga Programi për Mbështetje të Universiteteve, nga Ambasada Amerikane në Prishtinë, me administrim nga Kosova United States Alumni (KUSA) dhe i zbatuar nga Universiteti Amerikan në Kosovë (RIT A.U.K).

Në fjalimin e saj, Ministrja Rozeta Hajdari falënderoi për bashkëpunimin dhe tha se, është më rendësi të lartë krijimi i sa më shumë bashkëpunimeve të strukturuara në mes sektorit privat dhe institucioneve të arsimit të lartë dhe të mesëm, me qëllim të përshtatjes së arsimit dhe aftësimit profesional me nevojat e tregut të punës.

Me synim krijimin e platformës së bashkëpunimit ndërmjet industrisë, qeverisjes dhe arsimit, Ministrja Hajdari, si anëtare e Komisionit Qeveritar për Arsim dhe Aftësim Profesional, njoftoi për dialogun dhe diskutimet qeveritare me përfaqësues nga industria dhe arsimi i lartë dhe i mesëm, për ndërtimin e bashkëpunimit të strukturuar në mes industrisë dhe arsimit dhe aftësimit profesional, për qëllim adresimin e hendekut të aftësive për zhvillim të industrisë.

Duke i siguruar të pranishmit për qëndrueshmërinë e aktiviteteve të projektit në fjalë, që do të vazhdohet nga MINT, Ministrja Hajdari theksoi angazhimet e saj për krijimin e bashkëpunimeve me fakultetet e profileve të inxhinierisë, me rendësi për zhvillimin e industrisë. Në këtë qëllim, ajo gjithashtu përmendi rëndësinë e angazhimit proaktiv të bizneseve në arsimin dhe aftësimin profesional, që me kompetencë të tyre profesionale, kontribuojnë në rritjen e punësueshmërisë dhe adresimin e nevojave në sektorë të ndryshëm të industrisë së prodhimit dhe shërbimeve.

Projekti “Streamlining Curricular Development Processes and Establishment of the Task Force for Curricular Development”, ka mbështetur ndërtimin e kapaciteteve në nivel të Universiteteve në Kosovë në procesin e analizimit dhe dizajnimit të planprogrameve arsimore në harmoni me nevojat e tregut, me theks në sektorin e teknologjisë informative dhe atë të energjisë.