Lajme

Raundi i dytë i negociatave për Marrëveshjen e Tregtisë së Lirë në mes të Republikës së Kosovës dhe vendeve të EFTA-së

Prishtinë, 07/12/2022

Delegacioni i Republikës së Kosovës, ka mirëpritur delegacionin e shteteve anëtare të EFTA-së (Norvegjia, Zvicra, Islanda dhe Lihtenshtajni), me të cilin kanë vazhduar raundin e dytë të negociatave drejt një Marrëveshjeje të Tregtisë së Lirë.

Negociatat  përgjatë tri ditëve (29 nëntor deri më 1 dhjetor 2022), u bashkëkryesuan nga Zef Dedaj, ushtrues detyre i drejtorit të përgjithshëm të KIESA-së,  në Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë dhe Karin Büchel, ministre në Sekretariatin Shtetëror të Zvicrës për Çështje Ekonomike (SECO) dhe me përgjegjësi në Marrëveshjet e Tregtisë së Lirë / EFTA, si zëdhënëse e delegacionit  të  shteteve anëtare të EFTA-së , i përbërë nga:  Sveinn K. Einarsson, Këshilltar dhe  Koordinator - Misioni i Përhershëm i Islandës, Gjenevë; Patrick Ritter, Ministër-Këshilltar dhe Zëvendës Përfaqësues i Përhershëm - Misioni i Përhershëm i Lihtenshtajnit, Gjenevë; Lars Erik Nordgaard, Kryenegociator - Ministria e Tregtisë, Industrisë dhe Peshkimit, Norvegji dhe Frank Büchel, Shef i delegacionit  dhe Zv. Sekretar i Përgjithshëm për Sekretariatin EFTA me seli në Gjenevë.

Në hapjen e raundit të dytë të negociatave për Marrëveshjen e Tregtisë së Lirë, me fjalë përshëndetëse, delegacioneve negociuese iu drejtua Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, dhe Ambasadori i Zvicrës në Kosovë, Thomas Kolly.

Ministrja Hajdari, i uroi mirëseardhje delegacionit të EFTA-së dhe nënvizoi faktin se shtetet e EFTA-së mbeten partnerët tanë kryesorë në aspektin politik dhe ekonomik. Ajo përmendi mbështetjen e përhershme të këtyre vendeve në proceset e rëndësishme nëpër të cilat ka kaluar Republika e Kosovës dhe shkëmbimet pozitive tregtare me shtetet anëtare të EFTA-së.

Në vazhdim, Ministrja Hajdari, të pranishmit i informoi për progresin e arritur në ndryshimin e legjislacionit sipas parimeve të OBT-së dhe direktivave të BE-së, për çështjet e politikave tregtare, për nxitjen dhe mbrojtjen e investimeve, konkurrencën e shëndoshë, legjislacionin për të drejtat e pronësisë industriale, si dhe ligjin për shërbime.

Ajo shprehu  qëndrimin në emër të delegacionit kosovar, për të përfshirë në negociata edhe tregtinë e shërbimeve, përveç tregtisë së mallrave.

Duke i njoftuar të pranishmit për vendosmërinë ndaj parimeve të qeverisjes së mirë, të cilat u japin bizneseve një pamje më të qartë të mundësive të tyre në të ardhmen, Ministrja Hajdari, njoftoi për përparësitë konkurruese të shumta të Republikës së Kosovës, me përparim dhe ngritje të qëndrueshme, krahasuar me vitin e kaluar, duke i theksuar treguesit ekonomik dhe të demokracisë, efektivitetin e kostos, rininë e arsimuar dhe cilësinë e ndërmarrësisë me orientim për inovacion.

Gjatë këtij raundi janë përmbyllur kapitujt mbi konkurrencën dhe zgjidhjen e mosmarrëveshjeve, anekset për rregullat e origjinës dhe lehtësimi i tregtisë.

Ndërsa kapitulli për masat sanitare dhe fitosanitare ishte përfunduar përmes takimeve te përbashkëta virtuale, përpara raundit të dytë.

Duke iu rikthyer sërish shërbimeve për përfitim reciprok të ofruesve të shërbimeve, të dyja palët kanë rënë dakord që të vazhdojnë shkëmbimet e tyre profesionale për shërbime në nivel drejtues, me idenë që gjatë raundeve të ardhshme, shërbimet e sektorëve të caktuar të përfshihen në procesin e negociatave.