Inspektohen 53 operatorë ekonomikë, 44 rezultojnë me mbyllje të përkohshme
Prishtinë,
08/12/2022
Inspektorati i Tregut, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, mbrëmë ka filluar aksionin për inspektimin e operatorëve ekonomikë, të cilët ushtrojnë aktivitetin tregtar –Mirëmbajtje Trupore ( masazha).
Aksioni u zhvillua nga Inspektorati i Tregut, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës - Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Njerëz, dhe në mbështetje të inspektorëve të Administratës Tatimore dhe Inspektoratin e Punës, me ç’rast janë inspektuar 53 operatorë ekonomikë, të cilët e zhvillojnë veprimtarinë brenda territorit të Komunës së Prishtinës .
Aksioni i datës 07.12.2022 ka rezultuar me mbyllje të përkohshme të 44 operatorëve ekonomikë, nga 53 sa u inspektuan, për shkak të mungesës së pëlqimit/aktvendimit për plotësimin e kushteve minimale teknike.
Inspektimet do të vazhdojnë edhe ditëve në vijim dhe nëse konstatohen shkelje do të ketë masa ndëshkuese konform ligjeve në fuqi.